Rita Ora ka folur hapur për fëmijërinë e saj si refugjate dhe rrugëtimin drejt suksesit ndërkombëtar, duke u shprehur se është krenare për origjinën e saj si emigrante.

Këngëtarja 35-vjeçare, e cila po punon aktualisht në albumin e saj të katërt dhe së fundmi u rikthye në rolin e Mbretëreshës së Zemrave në “Descendants”, ka treguar se rruga drejt famës ka nisur nga një periudhë shumë e vështirë e jetës së saj.


Rita lindi në Prishtinë, por familja e saj u largua nga Kosova gjatë periudhës së persekutimit të shqiptarëve etnikë në fillim të viteve të 90-ta.

Prindërit e saj, Vera dhe Besniku, nisën një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar, ku mësuan gjuhën angleze dhe ndërtuan gjithçka nga fillimi, shkruan DailyMail.

Nëna e saj, e cila ishte mjeke, u rikualifikua si psikiatre, ndërsa babai i saj ndryshoi profesion dhe nisi të merrej me biznes, duke menaxhuar edhe një pub në Londër.

Në një intervistë për The Times, Rita tha se ndihet mirënjohëse për mundësitë që ka pasur dhe për edukimin e marrë.

“E tëra që di është se jam gjithmonë mirënjohëse për arsimin që kam marrë dhe krenare që jam emigrante”, u shpreh ajo.

Artistja shtoi se shumë emigrantë kanë një energji të veçantë dhe një dëshirë të madhe për t’u përmirësuar, duke theksuar se historia e shumë artistëve të mëdhenj lidhet me rrënjë emigrante.

Përveç muzikës, Rita ka folur edhe për planet e saj në kinematografi, duke zbuluar se do të dëshironte të luante në një film të bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi.

Çifti, i cili është i martuar prej gati katër vitesh, do të festojë përvjetorin e martesës në gusht. /Telegrafi/