RFEF hap hetim ndaj Barcelonës pas ankesës së Atleticos për rastin Julian Alvarez

E ardhmja e Julian Alvarez vazhdon të jetë një nga temat më të nxehta të afatit kalimtar të verës në Spanjë. Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka hapur një procedurë hetimore ndaj Barcelonës pas një ankese të paraqitur nga Atlético Madridi më 30 qershor.
Klubi madrilen pretendon se Barcelona ka kontaktuar sulmuesin argjentinas dhe përfaqësuesit e tij pa respektuar procedurat e parashikuara, pavarësisht se lojtari është nën kontratë me Atleticon deri në verën e vitit 2030.
Drejtuesi i Atlético Madridit, Miguel Angel Gil Marín, kishte paralajmëruar javë më parë se klubi do të ndërmerrte hapa zyrtarë për të mbrojtur interesat e tij nëse do të konstatonte shkelje të rregullave. Ankesa e paraqitur ndaj Barcelonës erdhi si rezultat i këtij qëndrimi.
Sipas raportimeve të Jijantes dhe MARCA, Barcelona tashmë është njoftuar zyrtarisht për hapjen e procedurës. Në klubin katalanas kjo shihet si një procedurë normale në raste të tilla dhe si fillimi i fazës ku të dy klubet do të paraqesin argumentet dhe provat e tyre para organeve kompetente.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe dëshmive të paraqitura nga të dyja palët, RFEF pritet të marrë një vendim përfundimtar mbi rastin.

Julian Alvarez mbetet objektivi kryesor i Barcelonës
Pavarësisht hetimit, Barcelona vazhdon ta konsiderojë Julian Alvarezin si objektivin kryesor për repartin ofensiv. Presidenti i klubit, Joan Laporta, kishte pranuar publikisht më 13 korrik se Barcelona kishte paraqitur një ofertë për sulmuesin argjentinas.
Megjithatë, Atlético Madridi ka refuzuar kategorikisht çdo mundësi negociimi për largimin e lojtarit, duke e bërë transferimin një nga sagat më të komplikuara të kësaj vere.
Sipas raportimeve nga Spanja, edhe vetë Alvarez ka shprehur gjatë Kupës së Botës dëshirën për të nisur një sfidë të re në karrierë, larg stadiumit Metropolitano, gjë që ka ushqyer më tej spekulimet për të ardhmen e tij.

10 gushti, data që mund të japë përgjigje
Një moment i rëndësishëm në këtë histori pritet të jetë 10 gushti, data kur Julian Alvarez duhet t’i bashkohet përgatitjeve parasezonale të Atlético Madridit.
Prania e tij në stërvitje dhe qëndrimi që do të mbajë lojtari mund të japin sinjale të qarta për të ardhmen e tij, ndërsa Barcelona nuk dëshiron që operacioni të zgjasë pafundësisht dhe po shqyrton edhe alternativa të tjera për sulmin në rast se transferimi i argjentinasit dështon.
Ndërkohë, hetimi i RFEF-së mund të shtojë një tjetër kapitull në një nga çështjet më të diskutuara të merkatos së verës në futbollin spanjoll. /Telegrafi/













































