LAJMI I FUNDIT:

Reflektim për logjikën dezintegruese brenda nesh

Reflektim për logjikën dezintegruese brenda nesh
Ilustrim

Nga: Emine Arifi Bakalli

Në një ndër emisionet “Provokacija” të Mustafa Nanos në TV “ABC” po merrte pjesë një gjuhëtare (Kristina Jorgaqi), e cila lidhur me çështjen e gjuhës standarde shqipe në relacion me kosovarët, po thoshte si më poshtë:

“Ata e kanë mësuar dhe folur serbishten, pra, përse mos ta mësojnë edhe gjuhen shqipe, variantin standard të saj?” Mungesë informimi dhe dashakeqësi së bashku. Sipas kësaj logjike, i bie që shqiptarët e Kosovës e paskan mësuar serbishten si alternativë të shqipes e jo si gjuhë të dytë dhe për arsye thjesht utilitare.

Dhe, me një lehtësi çfarë t’i them, po thoshte: “Nëse ata duan, le ta aprovojnë variantin e tyre të gjuhës”. Një të menduar varrmihës për një komunikim e integrim favorizues e zhvillimor të një bote të vockël, çfarë është kjo shqipfolësja. Një simplifikim i skajshëm i një çështjeje komplekse e me efekte tejet negative jo vetëm në planin kombëtar, po dhe atë shtetëror shqiptar. Rilindësit tanë, në reflektimet dhe analizat e tyre lidhur me gjuhën, kanë shfaqur mendime e bërë propozime të ndryshme. Por, të gjithë në drejtim të kundërt nga ç’mendojnë lokalistët ekscentrikë në Shqipëri a në Kosovë.

Rilindësit gjuhës iu kanë qasur si një element krucial, jo vetëm identifikues kombëtar, po dhe unifikues kombëtar shqiptar. Një pjesë e tyre e sidomos ata nga veriu kanë preferuar dhe propozuar variantin gjuhësor të praktikuar në Elbasan. Ndër ta dhe më i avancuari i kohës së tij, përpiluesi i një gramatike dhe alfabeti shqip, Zef Jubani. Edhe Sami Frashëri nuk kishte asnjë dilemë që në nivelet kulturore e shtetërore shqiptarët duhej të praktikonin një gjuhë standarde shqipe. Për dallim nga Zefi, Samiu mendonte se gjuha standarde shqipe nuk duhej diktuar në kuptimin rajonal, por kjo çështje delikate i duhej lënë një procesi evolutiv. Ai në programin e tij konstitucional kombëtar e shtetëror shqiptar, “Shqipëria ç’ka qënë ç’është e ç’do të bëhetë?” (1899), kur shkruan për organizimin administrativ të shtetit shqiptar dhe për kryeqytetin e tij që mund të quhej Skënderbegas, në të cilin do të gravitonin njerëz nga të gjitha anët e Shqipërisë, vazhdon “…edhe gjuha që të flitetë atje, do të jet’ e përzjerë, që të muntnjë të quhet gjuh’ e përgjithçime e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë…”

Në periudhën midis dy luftërave botërore pati tubime gjuhësore dhe një ujdi që zyrtarisht të praktikohej elbasanishtja. Në Kongresin e Gjuhës të vitit 1972, pasi u mor miratimi i potencialit gjuhësor kosovar të kohës (Konsulta Gjuhësore Prishtinë-1969), u aprovua varianti aktual i shqipes standarde. Shqiptarët e Kosovës në kontekstin politik të viteve ‘70 të shek. XX, gjuhën standarde shqipe nuk e shihnin vetëm si element kohezioni kombëtar, po dhe si një oponencë karshi Beogradit nacionalist, i cili deri në këto vite propagandonte dallimin esencial midis “Shiptari” (Kosovë) dhe “Albanaci” (Shqipëri), pra edhe në aspektin gjuhësor.

Çfarë ndodhi më tej? Kosovarët dhe të gjithë praktikuesit-folësit e gegërishtes u gjetën në goxha vështirësi. Përkundër kësaj, ata bënë përpjekje dhe praktikuan gjuhën standarde jo vetëm në angazhimet e tyre profesionale, po madje dhe në jetën e përditshme. Por, me kalimin e kohës, nisën të reagonin disa që nuk duronin që gjuha e praktikuar nga ta të perceptohej si vulgare e “maloke” (Migjen Kelmendi). Si reaksion, u shpeshtuan zërat se gjuha standarde shqipe është “standardi i Kostallarit”…

Gjuhëtarja në fjalë dhe bartësit e “filozofisë” së saj në Shqipëri dhe në Kosovë, para se të vazhdojnë me reflektimet e tyre përjashtuese, kanë nevojë të mendojnë më gjatë se cila është pasoja jo vetëm kulturore, po dhe politike e një reflektimi të tillë. Ç’është më keq dhe dy akademitë tona vlojnë nga këto ide aspak shkencore dhe aq më pak njerëzore. Si do të përkthehej kjo në praktikë? Po supozojmë se “gegët kosovarë” arrijnë një marrëveshje për shkëputje apo më mirë për një separatizëm gjuhësor dhe bëjnë zyrtarizmin e gegërishtes. A mendojnë ekscentrikët në fjalë si do të silleshin gegërishtfolësit e Shqipërisë në këtë realitet të supozuar gjuhësor? E ata shtrihen thellë në shtratin, përkatësisht shtetin shqiptar.

Gjuha standarde shqipe, aq sa ka nevojë të ruhet nga ndikimet e huaja gjuhësore, po aq ka nevojë që të jetë e hapur ndaj ndikimeve përbrenda arealit gjuhësor shqiptar. Gjuha e sotme standarde shqipe nuk ka nevojë që të perceptohet si një kështjellë, mbrojtja e së cilës paraqet një conditio sine qua non dhe as si një kështjellë që duhet pushtuar dhe modifikuar. Gjuha është organizëm i gjallë, ajo duhet të zhvillohet lirshëm, siç e ka paraparë Samiu. “Ndërhyrjet” profesionale në të duhet të kenë për qëllim që ajo të na shërbejë jo vetëm në aspektin e një komunikimi të lehtë midis nesh, po dhe akomodimi e afrimi në të gjitha aspektet. Kombi shqiptar është pjellë e logjikës konverguese të kultivuar nga rilindësit tanë e jo asaj përjashtuese. Kjo premisë logjike është në frymën e kohës dhe integrimeve të mëdha kontinentale e botërore. Në këtë kontekst zhvillimesh, bota shqiptare e integruar përbrenda vetvetes do ta ketë më lehtë të ruajë dhe ta plasojë identitetin kulturore historik të saj, çka dhe pritet dhe do të kërkohet nga ajo. Prandaj, është krejt e natyrshme që në frymën e kësaj filozofie t’i qasemi dhe gjuhës sonë. Në të kundërtën, do të bëhemi gazi i botës.