LAJMI I FUNDIT:

Rebelët pretendojnë se kanë hyrë në qytetin e dytë më të madh të Sirisë

Rebelët pretendojnë se kanë hyrë në qytetin e dytë më të madh të Sirisë

Rebelët e armatosur sirianë pretendojnë se kanë hyrë në Aleppo, duke shënuar kështu herën e parë që ata hyjnë në qytetin e dytë më të madh të vendit që kur forcat qeveritare rimorën qytetin në vitin 2016.

Rebelët filluan një sulm të befasishëm këtë javë, duke sulmuar një numër fshatrash dhe duke rindezur konfliktin që kishte qenë kryesisht statik për vite me rradhë.

“Forcat tona kanë filluar të hyjnë në qytetin e Aleppos”, tha një deklaratë nga koalicioni i sapoformuar rebel, Komanda e Operacioneve Ushtarake.


Ushtria siriane tha se po përballej me një “sulm të madh” të nisur nga “organizatat terroriste” të armatosura me armatim të rëndë dhe drone.

Sipas rebelëve, ata kanë marrë kontrollin edhe të Qendrës Kërkimore Shkencore Ushtarake të qeverisë siriane në periferi të qytetit të Aleppos pas “përplasjeve intensive me forcat e regjimit dhe milicitë iraniane”.

Bëhet e ditur se ofensiva, e cila filloi të mërkurën, është shpërthimi i parë i madh në vite midis opozitës siriane dhe regjimit të presidentit Bashar al-Assad, i cili ka sunduar vendin e shkatërruar nga lufta që nga viti 2000, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Kryengritje në Siri - rebelët ia mësyjnë ushtrisë së Assadit dhe forcave të Putinit
Lexo po ashtu Kryengritje në Siri - rebelët ia mësyjnë ushtrisë së Assadit dhe forcave të Putinit

Të enjten, të paktën 15 civilë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe dy gra, u vranë dhe 36 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore dhe bombardimet në zonat e kontrolluara nga rebelët në Aleppo dhe fshatin Idlib, sipas White Helmets, një grup vullnetar shpëtimi.

Media shtetërore iraniane tha se një gjeneral brigade i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) Kioumars Pourhashemi u vra gjithashtu në qytet.

Ndryshe, lufta civile e Sirisë filloi gjatë Pranverës Arabe të vitit 2011, pasi regjimi shtypi një kryengritje pro-demokratike kundër Assadit.

Vendi u zhyt në një luftë civile në shkallë të plotë pasi u formua një forcë rebele, e njohur si Ushtria e Lirë Siriane, për të luftuar trupat qeveritare.

Që nga marrëveshja e armëpushimit të vitit 2020, konflikti ka mbetur kryesisht i fjetur, me përleshje të nivelit të ulët midis rebelëve dhe regjimit të Assadit.

Më shumë se 300,000 civilë janë vrarë në më shumë se një dekadë lufte, sipas Kombeve të Bashkuara, dhe miliona njerëz janë zhvendosur në të gjithë rajonin. /Telegrafi/