Spekulimet e fundit në mediat spanjolle për një interesim të Real Madridit ndaj mesfushorëve portugezë Vitinha dhe Joao Neves kanë ngjallur debat, por realiteti duket ndryshe nga sa është raportuar.

Pas triumfit historik në Ligën e Kampionëve, Paris Saint-Germain po përgatitet për sezonin e ri, ndërsa drejtuesit e klubit po fokusohen te afati kalimtar veror.


Sipas raportimeve nga Franca, kampionët e Evropës nuk planifikojnë një revolucion në skuadër, por vetëm disa ndërhyrje të kujdesshme për të forcuar grupin e Luis Enriques.

PSG synon të afrojë një portier të ri, një mbrojtës të gjithanshëm, një alternativë për Nuno Mendesin dhe përforcime në repartin ofensiv.

Ndërkohë, disa lojtarë me rol më të kufizuar si Bradley Barcola, Gonçalo Ramos, Kang-in Lee dhe Ibrahim Mbaye mund të largohen nëse mbërrijnë oferta të përshtatshme.

Në ditët e fundit është raportuar se Real Madridi po monitoron nga afër Vitinhan dhe Joao Nevesin.

Vitinha prej kohësh konsiderohet si një nga mesfushorët më të vlerësuar në Evropë, ndërsa Joao Neves është përmendur madje si një nga objektivat e mundshëm të ardhshëm të klubit madrilen.

Megjithatë, sipas gazetës spanjolle AS, interesimi i Real Madridit nuk është aq konkret sa është paraqitur.

Burime pranë klubit bëjnë të ditur se emrat e dy portugezëve përfaqësojnë më shumë dëshirat e tifozëve sesa objektiva reale të afatit kalimtar të klubit në këtë moment.

Gjithashtu, PSG nuk ka asnjë qëllim të shesë dy nga lojtarët më të rëndësishëm të projektit të tij sportiv.

Situata në Madrid mbetet e kushtëzuar edhe nga proceset zgjedhore brenda klubit, të cilat po ngadalësojnë vendimmarrjen për operacionet e mëdha në afatin kalimtar.

Për momentin, gjithçka tregon se Vitinha dhe Joao Neves do të vazhdojnë të jenë pjesë e PSG-së edhe sezonin e ardhshëm, ndërsa një transferim drejt ‘Santiago Bernabeu’ gjatë kësaj vere konsiderohet shumë i pamundur. /Telegrafi/

telegrafi sport app