Real Madridi kryeson botën e futbollit për nga fitimet në sezonin 2024/25, pasohet nga Barcelona dhe Bayerni

Real Madridi thyen çdo rekord financiar dhe udhëheq renditjen globale të klubeve më fitimprurëse për sezonin 2024/25, ndërsa Barcelona, Bayern Munich, Paris Saint-Geermain dhe gjigantët e Ligës Premier konfirmojnë fuqinë ekonomike të elitës evropiane. Deloitte Money League tregon qartë se dominimi në futboll sot matet po aq me të ardhura sa edhe me trofe.
Klubi mbretëror ka konfirmuar dominimin e tij jo vetëm në fushë, por edhe financiarisht. Sipas renditjes së “Deloitte Football Money League 2026”, Real Madridi ka gjeneruar plot 1.16 miliardë euro, duke u bërë klubi i parë në histori që kalon pragun e një miliardi në një sezon.
Në vendin e dytë renditet Barcelona me 942 milionë euro, një rikthim i fortë financiar pas viteve të vështira. Të ardhurat nga marketingu, stadiumi dhe rikthimi në elitën evropiane kanë luajtur rol kyç në rritjen e blaugranëve.
Bayern Munich mban pozitën e tretë me 831 milionë euro, duke konfirmuar stabilitetin financiar dhe modelin e qëndrueshëm të menaxhimit. Pas gjigantit gjerman vjen Paris Saint-Germain me 808 milionë euro, ku ndikimi i marketingut global dhe yjeve vazhdon të jetë vendimtar.

Liga Premier dominohet nga disa klube në top-10. Liverpooli është i pesti me 807 milionë euro, i ndjekur ngushtë nga Manchester City me 802 milionë dhe Arsenali me 794 milionë euro, duke dëshmuar fuqinë ekonomike të kampionatit anglez.
Manchester United renditet i teti me 766 milionë euro, pavarësisht rezultateve të paqëndrueshme sportive. Pas tyre vjen Tottenham Hotspur me 650 milionë euro dhe Chelsea me 566 milionë euro, që mbeten marka të forta në tregun global.
Top-15 plotësohet nga Interi (538 milionë euro), Borussia Dortmund (531 milionë euro), Atletico Madrid (454 milionë euro), Aston Villa (435 milionë euro) dhe AC Milan (410 milionë euro), klube që vazhdojnë të ruajnë peshë të madhe ekonomike në futbollin evropian.
Raporti e bën të qartë se elita e futbollit modern nuk ndërtohet vetëm me rezultate sportive, por edhe me menaxhim financiar të fuqishëm dhe strategji afatgjata. /Telegrafi/






















































