LAJMI I FUNDIT:

Reagime nga LDK ndaj ministrit Murati: Po bllokoni Termokosin dhe projektet tjera në kryeqytet

Reagime nga LDK ndaj ministrit Murati: Po bllokoni Termokosin dhe projektet tjera në kryeqytet

Kanë vazhduar përplasjet LDK-LVV në lidhje me financimin e Termokosit dhe projekteve tjera të kryeqytetit.

Ndaj ministrit Hekuran Murati, kanë reaguar zyrtarë të shumë të LDK-së duke akuzuar këtë të fundit për bllokim të projekteve që lidhen me Termokosin.


Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, e ka quajtur propagandues patologjik, ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Lidhur me këtë, deputetja e LDK-së thotë se “nuk e di saktë ku fillon e kulmon domosdoshmëria e njeriut të propagandojë tërë kohën, por ky duhet të jetë kulmi”.

“Ministri Hekuran Murati po kërkon që LDK, e cila ka votuar PËR marrëveshje ndërkombëtare, t’i bind partitë TJERA opozitare të votojnë. Ministri i takon një partie politike që në nivel lokal ka koalicione PIKËRISHT me ata që nuk ja votojnë marrëveshjet, por disi, ‘harron’ kur nuk i konvenon. Kjo nuk është politikë. Të jetosh obsesivisht në trillim ka tjetër dimension patologjik”, ka thënë ajo.

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj ka thënë se LDK në vazhdimësi ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

“Ministër, marrëveshjet ndërkombëtare po votohen prej LDK-së, dhe këtë e keni parë në disa mbledhje të fundit”, ka shkruar Zogaj në Facebook.

Derisa ky i fundit thotë se Qeveria po bllokon disa projekte të Prishtinës.

“Rasti i Rrugës A; Unaza e jashtme e Kryeqytetit; Spitali i Prishtinës; Rruga Prishtinë – Fushë Kosovë (me WB); Bartja e mjeteve financiare”, ka përmendur Zogaj projektet që sipas tij po bllokohen nga Qeveria.

Duke folur për rastin e Termokosit ai thotë se mund të ia dalin edhe pa mbështetjen e Qeverisë.

“Dhe, në rastin e TERMOKOS, edhe pa mbështetje fare, vetëm këtë vit i kemi kyç’ 40 mijë banorë në Prishtinë. I kemi mbi 300 projekte në realizim në Prishtinë”, ka shkruar tutje nënkryetari i Prishtinës.

Murati i reagon Abdixhikut për Termokosin: Financimin e kemi siguruar ne, ndikoni te partitë opozitare ta zhbllokojmë projektin
Lexo po ashtu Murati i reagon Abdixhikut për Termokosin: Financimin e kemi siguruar ne, ndikoni te partitë opozitare ta zhbllokojmë projektin

Derisa zyrtari tjetër i LDK-së, Berat Rukiqi thotë se ministri Murati dhe shefi i tij, po e pengojnë zhvillimin e Kryeqytetit.

Për këtë sipas tij, faktet janë evidente:

“Me ndikime në sistemin gjyqësor, përmes familjareve të deputeteve (motra e deputetes Pacolli), e kanë ndërprerë ndërtimin e “Rrugës A”. Herët a vone, rruga do të përfundojë, pa asnjë përkrahje financiare, nga Qeveria”.

“Pa asnjë argument të qëndrueshëm, me kokëfortësi, nuk po e financojnë projektin me kapital për zhvillimin e Kryeqytetit, “Projektin e Unazës””.

“LDK e voton çdo marrëveshje ndërkombëtare, pasi që në asnjë rrethanë, nuk e dëmton interesin e qytetareve, për kalkulime të politikës ditore. Këtë e kanë bërë dhe vazhdon të bëjë, partia e Ministrit Murati dhe shefi i tij, të cilët nuk e huqin asnjë mundësi të ofendojnë, linçojnë dhe sulmojnë opozitën dhe çdo kundërshtar politik”, ka shkruar tutje Rukiqi.

Ndryshe, ministri i Financave Hekuran Murati në një reagim ndaj kreut të LDK-së, ka thënë se qeveria ka siguruar financimin në vlerë prej 80 milionë euro për Termokosin, por që sipas tij partitë opozitare në Kuvend po e pengojnë ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare që parasheh edhe zhbllokimin e këtyre fondeve.

Ai ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar nga Abdixhiku që të “ndikojë” te këto parti për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend./Telegrafi/