LAJMI I FUNDIT:

Murati i reagon Abdixhikut për Termokosin: Financimin e kemi siguruar ne, ndikoni te partitë opozitare ta zhbllokojmë projektin

Murati i reagon Abdixhikut për Termokosin: Financimin e kemi siguruar ne, ndikoni te partitë opozitare ta zhbllokojmë projektin

Ministri i Financave Hekuran Murati ka reaguar pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se Prishtina ka ndarë 5 milionë euro për Termokosin.

Ai ka thënë se Qeveria tash e një vit ka siguruar financimin në vlerë prej 80 milionë euro për Termokosin.


“Projekti parasheh rritjen e kapacitetit të ngrohjes qëndrore përmes energjisë së ripërtërishme, si dhe zgjerimin e rrjetit në shumë lagje të Prishtinës. Me fjalë tjera, financimi për zgjerim të rrjetit ekziston”, ka shkruar Murati.

Ministri i Financave madje ka akuzuar se bllokues të këtij projekti janë dy partitë opozitare PDK e AAK.

Abdixhiku: Edhe 5 milionë euro për shtrirjen e rrjetit të Termokosit në kryeqytet
Lexo po ashtu Abdixhiku: Edhe 5 milionë euro për shtrirjen e rrjetit të Termokosit në kryeqytet

“Por projekti po mbahet i bllokuar sepse nuk po ratifikohet marrëveshja ndërkombëtare si rezultat i bllokadës nga opozita në Kuvend, e për ratifikim duhen 80 vota”.

“Pra, nëse është dikush që po bllokon projektet madhore, janë pikërisht partnerët e koalicionit qeverisës në Prishtinë”, ka shtuar Murati.

Murati ka kërkuar nga Abdixhiku që të “ndikojë” te PDK-ja për të ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare meqë sipas tij ata bashkëqeverisin në Prishtinë.

“Andaj, në vend se të bëjë akuza të pabaza drejt Qeverisë, deputeti Abdixhiku bën mirë të kërkojë nga partnerët e tij të koalicionit që të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes që ia siguron 80 milionë euro Termokosit dhe qytetarëve të Prishtinës”, vijon tutje reagimi i ministrit të Financave./Telegrafi/