Këngëtari Gjesti është rikthyer në media për herë të parë pas një periudhe të gjatë shkëputjeje, duke qenë i ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”. Përveç bisedës për rrugëtimin dhe arritjet në karrierë, artisti preku edhe një temë që gjithmonë ngjall kureshtje te publiku: jeta e tij romantike.

I pyetur nëse është single apo në një lidhje, Gjesti nuk hyri në shumë detaje konkrete, por dha një përgjigje që u interpretua si një reflektim i sinqertë mbi raportet dhe njerëzit që e afrohen për arsye të ndryshme.


“Femra që duan për interes ose kështu ka sa të duash, vetëm ta hapësh derën vijnë me tufa. Por femra të hairit që të do si je, si Besart, në ditë të mira ose të këqija, si me lek si pa lek, zor është të gjesh. Zoti ma ka rezervuar me kohë, e di ai se cili është për ty”, u shpreh këngëtari.

Me këto fjalë, Gjesti la të kuptohet se për të ka rëndësi sinqeriteti dhe qëndrueshmëria në një lidhje, më shumë sesa dukja apo interesat materiale, duke theksuar se një person që të do “si je” është gjëja më e vështirë për t’u gjetur.

Deklarata e tij u komentua menjëherë edhe në rrjete sociale, ku fansat u ndalën te mesazhi i këngëtarit për dashurinë e vërtetë dhe kriteret që ai duket se kërkon në një partnere. /Telegrafi/

- YouTube youtu.be