Publikohet traileri i dokumentarit “Pinocchio’s Harvard” Është publikuar traileri zyrtar i dokumentarit “Pinocchio’s Harvard”, me regji të regjisorit Valmir Tertini, një projekt që sjell në ekran historinë e Pinocchio’s, picerisë ikonike pranë Universitetit të Harvardit, e cila prej dekadash është kthyer në një pikë takimi për studentë, profesorë dhe personalitete të njohura.

“Veç 1 klikim edhe 1 min e 20 sekonda për me pa Trailerin e ‘Pinocchio’s Harvard’”, ka shkruar Tertini në Facebook, duke bërë publik trailerin e filmit.


Dokumentari sjell edhe kuriozitete nga historia e picerisë dhe disa prej klientëve të saj më të njohur. Në mesin e emrave që lidhen me Pinocchio’s janë Bill Gates dhe Mark Zuckerberg, të cilët e kanë frekuentuar lokalin gjatë periudhës së studimeve në Harvard, ndërsa ndër personalitetet e tjera që kanë vizituar këtë vend janë edhe Matt Damon, Ben Affleck dhe figura të njohura nga bota e politikës dhe kulturës. Këto histori dhe personazhe janë pjesë e rrëfimit që Tertini ka sjellë në dokumentar.

- YouTube youtu.be

“Pinocchio’s Harvard” tashmë ka shënuar edhe suksesin e parë në festivalet ndërkombëtare. Filmi u vlerësua në CVV Film Festival – Corti Vittorio Veneto, ku Valmir Tertini u nderua me çmimet Best Director dhe Best Short Documentary.

Pas këtij vlerësimi, dokumentari është bërë pjesë e edicionit paralel të Corti Vittorio Veneto, i cili zhvillohet në kuadër të aktiviteteve të lidhura me Edicionin e 83-të të Festivalit të Filmit në Venecia, duke i dhënë projektit një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tij ndërkombëtar.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm në këtë periudhë është zgjerimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare të vivFilms, kompania e themeluar nga Valmir Tertini. vivFilms tashmë është në bashkëpunim me kompaninë e njohur italiane CinemaSet, të themeluar nga producenti italian Antonio Chiaramonte, një emër aktiv prej më shumë se dy dekadash në sektorin audioviziv italian.

Krahas këtij bashkëpunimi, vivFilms është pjesë e Associati ITA.C.A., organizatës që përfaqëson dhe promovon sektorin audioviziv italian dhe që synon të krijojë mundësi të reja për producentë, autorë dhe profesionistë të kinemasë.

Publikimi i trailerit shënon kështu një tjetër etapë për “Pinocchio’s Harvard”, i cili nga historia e një picerie pranë Harvardit po shndërrohet në një projekt me prezencë gjithnjë e më të gjerë në skenën ndërkombëtare të filmit. /Telegrafi/