Shfaqja teatrore “Jetimët”, një produksion i realizuar përmes bashkëpunimit artistik Shqipëri–Kosovë, do të shfaqet para publikut në Teatrin Dodona në Prishtinë, të hënën, më 7 shtator 2026, ndërsa më 12 shtator 2026 do të prezantohet në Londër, në King Alfred Phoenix Theatre.

Një tragjikomedi e fuqishme, emocionuese dhe magjepsëse, “Jetimët” sjell në skenë historinë e tre njerëzve të formësuar nga vetmia, mungesa dhe nevoja e thellë njerëzore për t’u dashur. Një takim i papritur i përball ata me sekrete, plagë dhe të vërteta që i kanë mbajtur të fshehura.


Duke lëvizur mes humorit të zi, tensionit dhe momenteve thellësisht prekëse, shfaqja kalon vazhdimisht nga e qeshura te dhimbja, duke ngritur pyetje mbi familjen, braktisjen, dashurinë dhe nevojën njerëzore për të pasur dikë që mund ta quajmë “tonin”.Një tragjikomedi brilante që të bën të qeshësh, të shqetëson dhe, mbi të gjitha, të fton të reflektosh.

Shfaqja vjen si një bashkëpunim artistik mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe bashkon në skenë artistë nga të dyja vendet. Regjia është e Ilir Bokshit, ndërsa në role interpretojnë Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Ledion Zoi. Asistent regjisor është Butrint Pasha, skenografinë dhe kostumet i ka realizuar Petrit Bakalli, muzika është e Butrint Pashës, ndërsa përkthimi është realizuar nga Artur Lena. Producentë të projektit janë A&M Arts and Films dhe Teatri Dodona.

Një rëndësi të veçantë në realizimin e këtij projekti ka pasur mbështetja e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, në kuadër të projektit CultAlb, për të cilën ekipi realizues shpreh mirënjohjen e tij të sinqertë. Mbështetja institucionale për projekte të përbashkëta kulturore Shqipëri–Kosovë është një dëshmi e rëndësishme e vullnetit për të forcuar bashkëpunimin artistik mes dy vendeve dhe për të krijuar ura të reja të komunikimit kulturor në rajon dhe më gjerë.

Pas prezantimit në Prishtinë dhe Londër, “Jetimët” do të vazhdojë rrugëtimin e saj ndërkombëtar, me prezantime të planifikuara në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, si dhe me pjesëmarrje në festivale dhe aktivitete të ndryshme teatrore në rajon dhe në Evropë.

Përmes këtij projekti, “Jetimët” synon jo vetëm të sjellë një vepër të rëndësishme të dramaturgjisë bashkëkohore para publikut, por edhe të dëshmojë potencialin e bashkëpunimit artistik Shqipëri–Kosovë dhe të kontribuojë në prezantimin e artistëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare. /Telegrafi/