eksperti-banner

- Dhjetë arsye pse qytetarët e Prizrenit duhet ta ndërrojnë Ramadan Mujën -

Fushata zgjedhore e Prizrenit, ndër tjerash, u shqua edhe me një arrogancë të skajshme të kryetarit aktual Z. Ramadan Muja, i cili është edhe kandidat për një mandat të dytë. Arroganca e tij, karshi të gjithë kandidatëve tjerë u manifestua me refuzimin dhe mospranimin e çdo lloj kritike dhe vërejtjeje për mospunë, ngecje dhe dështim gjatë mandatit të tij qeverisës me komunën e Prizrenit. Ai, qe një muaj, vetëm i mohon këto kritika. Të gjitha i quan të pabaza.

Le të supozojmë për një moment se të gjitha kritikat ndaj qeverisjes Muja në Prizren janë të pabaza dhe le t’i shikojmë disa studime dhe raporte netruale. Në raportin e rregullt të UNDP-së dhe USAID-it “Mozaiku i Kosovës” (botuar në Tetor 2009), ku analizohet puna dhe efikasiteti i komunave të Kosovës, në kapitullin e shërbimeve komunale, shprehimisht thuhet: “të anketuarit nga Rahoveci dhe Prizreni raportojnë nivelet më të larta të moskënaqësisë me qeveritë lokale”. Statistikisht raporti tregon se pakënaqësia e qytetarëve të Prizrenit me shërbimet komunale është në nivel alarmant (-33%, në shkallën +100 deri -100).

Një tjetër raport, ai i Institutit GAP (botuar në Tetor 2009) konstaton se pjesa më e madhe (rreth 80%) e premtimeve të Mujës nuk janë realizuar. Edhe ato pak punë të kryera gjatë qeverisjes Muja, raporti i kalisifikon në kategorinë “premtime të realizuara pjesërisht”. Së treti, Raporti i rregullt vjetor i Komisionit Evropian, ai i Progresit për Kosovës, konstaton një numër të madh problemesh dhe ngecjesh të qeverisjes lokale në Kosovë, në fusha të decentralizimit, integrimit të komuniteteve, taksave, administratës publike, etj. Nuk ka dyshim që në këto konstatime negative ka ndihmuar edhe qeverisja mjaft e dobët dhe joefektive e Mujës me komunën e Prizrenit.

Raporti më i mirë që e konstaton qeverisjen e dobët dhe joefektive të Mujës, mendoj që është pakënaqësia shumë e madhe e qytetarit të komunës së Prizrenit, i cili sot jeton me një standard dhe cilësi mjaft të ultë jetese. Përfundimisht, qeverisja në Prizren duhet të ndryshojë, qeverisja në Prizren do të ndryshojë. Dhe, mendoj që janë së paku dhjetë arsye pse duhet dhënë fund qeverisjes Muja në Prizren.

1. Prizreni, një komunë me 250.000 banorë ka nevojë për një kryetar dhe menaxher energjik, me kondicion dhe vizionar. Kryetari aktual këto dy vitet e qeverisjes së tij ka dëshmuar mungesë energjie dhe kondicioni për të prodhuar qeverisje efikase për Prizrenin.

2. Të gjitha vendimet e rëndësishme të qeverisë lokale merren nga persona tjerë dhe jo nga vetë Kryetari, prandaj ai thjesht është një “kryetar në hije”.

3. Qeveria aktuale lokale nuk ka plan për zhvillim lokal ekonomik të Prizrenit. Lirisht pyetini njerëzit që e qeverisin sot Prizrenit dhe vetë do të bindeni se ata nuk dijnë t’ju tregojnë si cili është plani dhe cila është strategjia për zhvillim lokal ekonomik të komunës, cilat janë prioritetet dhe çfarë është arritur deri tani.

4. Edhe pse më 2007 pati premtuar se do të kujdeset për trashëgiminë kulturore të qytetit, pasi që vetë është historian, Kryetari aktual vazhdoi degradimin e trashëgimisë kulturore të qytetit, degradim i cili fillet i ka në qeverisjet e kaluara të LDK-së.

5. Kryetari aktual i Prizrenit është i vetmi kandidat për kryetar komune të Prizrenit i cili nuk po shpalos program të qeverisjes dhe tërë fushatën ia ka besuar kryeministrit të vendit. Ai jo vetëm që ka qeverisur pa plan dhe strategji për zhvillim lokal ekonomik këto dy vite, por edhe gjatë kësaj fushate nuk ka thënë asnjë fjalë për zhvillimin e komunës.

6. Në vend të shpalosjes së plaformës për qeverisje, Kryetari aktual ka përdor fjalor kërcënues dhe shantazhues para qytetarëve, duke i kushtëzuar me investime në shkëmbim të votës. Ai ka qenë i drejtpëdrejtë në një zonë të komunës, duke i porositur fshatarët që nëse nuk votojnë për te, nuk do të ketë investime në atë zonë.

7. Kryetari aktual i Prizrenit ka qenë i shkëputur totalisht nga qytetarët dhe ka mbajtur kontakte dhe takime vetëm për të përmbushur obligimin ligjor për takime me qytetare dy herë gjatë vitit. Kryetarit aktual i mungon energjia dhe kondicioni për të qenë në kontakt me qytetarët. Ndërsa mungesa e kontaktit me qytetarë, sjell qeverisje të dobët dhe larg qytetarit.

8. I gjithë suksesi i qeverisjes aktuale mbështetet në projekte fizike/infrastrukturore, si asfalt, ndërtesa, beton. Kjo qeverisje nuk ka punuar për zbujte të varfërisë, ngritje të cilësisë së arsimit, shërbime më cilësore shëndetësore, ulje të nivelit të papunësisë, e kështu me radhë.

9. Prizreni, qe dy vite thuajse nuk ka jetë kulturore fare. Instituti i Monumenteve nuk e kryen punën si duhet, Teatri Profesionist i qytetit është larg prioriteteve të komunës, Dokufest për herë të parë sivjet ka marrë më pak fonde nga komuna krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa komuniteti artistik dhe kulturor i Prizrenit është shndërruar në kategori sociale.

10. Dhë krimi më i madh i këtyre dy viteve të fundit: arsimi dhe lëvizjet absurde kadrovike, përmes ndërhyrjeve diktatoriale në përzgjedhje dhe emërime të personelit menaxhues dhe arsimor të shkollave. Këto dhjetë arsye janë më të fuqishmet dhe më evidentet, ndërsa shumë të tjera mund t’i shtohen kësaj liste.

Plani im zhvillimor për komunën e Prizrenit bazohet në tri prioritete: turizmin kulturor dhe natyror për nevoja të zhvillimit lokal ekonomik, bujqësinë dhe zhvillimin rural për zbutje të nivelit të lartë të papunësisë dhe shfrytëzimin e potencialit rinor për qëllime zhvillimore përmes nismave arsimore, kulturore, teknologjike, etj. Parimet themelore të kësaj platforma për qeverisje me komunën e Prizrenit janë:

1. arritja e sa më shumë rezultateve me mundësitë ekzistuese, pa u fshehur pas arsyetimeve të buxhetit të kufizuar, dhe

2. sjellja e fondeve të jashtme zhvillimore për komunën. Unë kandidohet për ta kanalizuar një mllef dhe pakënaqësi mjaft të gjerë qytetare, ku bëj pjesë edhe vetë. Mbi të gjitha, për dallim nga kandidatët tjerë dhe për dallim nga të gjitha zgjedhjet e kaluara, unë garoj me një Plan, me “p” të madhe për komunën e Prizrenit.

Prizreni e ka rastin tani. Prizreni mund të shpëtojë më 15 Nëntor, nëse qytetarët me votën e tyre ia ndërrojnë kahjen zhvillimeve të komunës. Nëse me vendosmëri dhe masovitet dalin për ta ndalur qeverisjen e keqe dhe joefektive të komunës. Në të kundërt edhe katër vite tjera, Prizrenin e presin vite të regresit dhe shumë të dëmshme për mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin e ekonomisë, mbrojtjen e trashëgimisë, dinjitetin e arsimtarit, kushtet e mjekut dhe mbi të gjitha perspektivën e rinisë.

(Kandidat për Kryetar të Komunës së Prizrenit nga AAK)