eksperti-banner

Në këto ditë të ftohta tetori, atmosfera në Prishtinë bartë temperatura afrikane falë zgjedhjeve lokale që zënë vend në vendin tonë këtë vit. Ndonëse gara për kreun e Prishtinës nuk do ketë rezultat befasues kur kihet parasysh konkurrenca e dobët me të cilën ballafaqohet Isa Mustafa, prapë më sillet ndërmend një pyetje: “Pse Astriti është njeriu i duhur për Prishtinën?”.

Astriti është i ri dhe në kryeqytet do të sillte një frymë krejtësisht tjetër. Sidomos në aspektin kulturor, nga përvoja që ka me bendin e tij të dikurshëm muzikor do të ishte mëse e pritshme që Astriti të ngjallte jetën kulturore të Prishtinës. Edhe pse nuk do ishte paska e vështirë ngase duket qe sfera muzikore i ecën Astritit vetëm kur bashkëpunon me minoritete apo siç quheshin në të shkuarën e afërt, me termin politikisht jo-korrekt, “shkije”. Sepse ju që nuk e dini, Astriti kur ka qenë i ri ka qenë anëtar i një bendi multi-etnik.

Astritit do të ishte kryetari më “cool” dhe besoj në krahasim me rektorin aktual Rugova, ai do të kërkonte që Prishtina të kishte një jetë më të bujshme nate. Jo rastësisht po besoj që ai vetë do të ishte sponsori kryesor në këto klube nate e madje madje ato mund të shndërroheshin në zyrën e tij të dytë. Sido që të jetë “dashuria” për alkoolin do të ishte benefit për rininë dhe imazhin e kryeqytetit”.

Gjuha e tij e thjeshtë, e bënë të ndihet mirë çdo qytetar të Prishtinës. Ai e përfaqëson edhe klasën më të ultë me të folurit e tij dhe vokabularin e thjeshtë të cilin ai e përdorë edhe ne debate intelektuale. Pse të mos përdoret dialekti “gego-fshataresk”...bile, bile ky do të duhej të ishte Standardi i Shqipes. Rrafsh! Pse t’i bindemi standardes aktuale të cilën e flet vetëm 1% e popullsisë? Pse? Mu për këtë arsye po “ngelin” maturantët – sepse ne i vështirësojmë gjërat, ai i thjeshton. Ai është ikonë për të rinjtë e kryeqytetit, për fëmijën tuaj, se si një “i degjeneruar”, që flet “rrugaçisht” ia del e bëhet edhe filozof dhe e ofendon inteligjencën e bimëve në sheshin e qytetit se lerë më të njeriut.

Astriti është doktor i filozofisë, ai është intelektual, ai është njeriu i duhur për Prishtinë – ai është njeri i fjalës. Astriti rrallë gënjen...ama kur gënjen, gënjen me hak! E tillë ishte gënjeshtra e tij në nëntor të 2007, kur deklaroi se: “Nëse humbë Fatmir Limaj në balotazh kundër Isa Musfatës, unë do ta lëshoj Prishtinën!”.

Ai jo që nuk migroi, qëndroi stoikisht në Prishtinë dhe madje u punësua në kryeqytet duke mbajtur dy poste: atë të këshilltarit të Kryeministrit dhe atë të anëtarit të Bordit të RTK-së. Kjo njëherësh e dëshmon aftësinë e tij për multi-tasking – mbase nuk do t’i duhen fare drejtor se i kryen vetë të gjitha punët nëse zgjidhet kryetar i Prishtinës.

Çdo fjalë tjetër mbi personalitetin e tij të bujshëm është e tepërt. Ai po e dëshmon veten – fushata e tij kreative lë shumëçka për të kuptuar lidhur me Astritin. Ofendon, fyen, gënjen pa “pardon” –sepse nuk di më mirë.