LAJMI I FUNDIT:

Prizreni qendër kombëtare për prodhimet vendore

Prizreni qendër kombëtare për prodhimet vendore

Prodhues të ndryshëm vendës kanë vazhduar promovimin e prodhimeve të tyre para qytetarëve të Prizrenit në Viva Fresh Store, organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB).

Ky aktivitet po realizohet në kuadër të fushatës “Javët e Biznesit Kosovar 2018” e cila realizohet për të 16 vit nga AKB-ja me moton “Unë Konsumoj produkte Vendore, Po Ju?”.


Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se tërë aktiviteti i tyre tashmë tradicional për konsum të prodhimeve vendore nuk ndalet, por tashmë u bë edhe më i fuqishëm pas ndërmarrjes së masave kundër prodhimeve serbe.

“Tash sa vjet kërkojmë marrjen e masave ndaj prodhimeve serbe, e i cili vendim u realizua tash nga institucionet e Kosovës me taksën 100 për qind”, tha Shahini.

Ai shtoi se Prizreni është qendër kombëtare për prodhime vendore.

Zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë Arbëreshë Krasniqi, tha se pas masave të ndërmarra nga MTI-ja e institucionet e Kosovës ndaj produkteve serbe me taksën 100 për qind, prodhimeve vendore u ka ardhur koha që të konsumohen nga të gjithë e të zhvillohen.

Ajo u bëri thirrje prodhueseve vendor që të rrisin cilësinë e prodhimin dhe institucionet do t’i përkrahin.

Krasniqi i ka kërkuar qytetarëve që të konsumojnë prodhimet vendore dhe festat e fund vitit t’i festojnë me sa më shumë prodhime kosovare.

Luan Hasani, nga Viva Fresh Store në Prizren, tha se do të jenë gjithmonë përkrahës të prodhimeve vendore e atyre shqiptare, me qëllim të fuqizimit të sektorit prodhues në Kosovë.

Ai tregoi se kanë mbi 200 mijë konsumatorë kosovar e mbi 100 mijë nga Shqipëria dhe këta do të furnizohen me prodhime vendore krahas prodhimeve tjera. /Telegrafi/