LAJMI I FUNDIT:

Prishtinës do t’i rrinte mirë një pllakë përkujtimore për Pjetër Bogdanin

Prishtinës do t’i rrinte mirë një pllakë përkujtimore për Pjetër Bogdanin

Nga bisedat me Ibrahim Rugovën

Nga: Faruk Tasholli


Kur Komuna e Prishtinës bëri inaugurimin solemn të Sheshit “Ibrahim Rugova“, vizionarit kryesor të shtetndërtimit të Kosovës, befas m’u kujtua një ide e tij, që besoj, nuk do të ma ketë thënë vetëm mua: vënien e një pllake përkujtimore për Pjetër Bogdanin në Prishtinë, një nga figurat qendrore të letërsisë së vjetër shqipe dhe luftëtar kombëtar për çlirim nga Perandoria Osmane, i cili vdiq dhe u varros në Prishtinë, por që në të njëjtin vend u zhvarros nga pushtuesit dhe kufoma e tij u gëlltit nga qentë endacakë.

Diku nga mesi i shtatorit të vitit 1988, në një kuvend të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës që mbahej në amfiteatrin e Bibliotekës Popullore dhe Universitare të Kosovës, albanologu Rexhep Ismajli hodhi iniciativën që vetë Shoqata dhe institucionet e tjera kulturore të Kosovës, ta shënonin vitin 1989 si vit jubilar të 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit. Propozimi u përkrah njëzëri nga të pranishmit dhe pritej që zëdhënës të kësaj ideje të bëheshin shkrimtarët, pjesa më e madhe e të cilëve aso kohe punonin në institucionet kulturore, arsimore e universitare të Kosovës.

Po ato ditë, pas një ceremonie që ishte zhvilluar për ndarjen e shpërblimit nga “Rilindja“, të veprës “Kode të ligjërimit letrar“ të Bajram Krasniqit, një nga studiuesit e talentuar te letërsisë shqipe (vdiq shumë i ri), rastësisht takoj autorin e shpërblyer, Bajramin, të shoqëruar nga Ibrahim Rugova dhe Milazim Krasniqi. Më ftojnë t’u bashkangjitem. Në njërin nga lokalet e frekuentuara të Prishtinës, kuptoj se takimi i tyre ishte me shkas. Shpërblimi i veprës së Bajram Krasniqit që ishte bërë po atë ditë. Pos një vargu bisedash, kryesisht për letërsinë dhe pak a shumë për atmosferën kulturore e politike të kohës, preokupime këto të përditshme, të dy Krasniqët, pra Bajrami dhe Milazimi, nguten të ikin për disa obligime familjare që kishin. Kohën e mbetur me Ibrahim Rugovën, e shfrytëzoj që ta lëmë një takim tjetër për ta incizuar një emision në Radio Prishtinë që do të shënonte në një mënyrë përvjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit, ku aso kohe punoja gazetar, me mundësinë që bashkëbiseduesi im të përgatitej për këtë temë. Ibrahim Rugova tashmë kishte botuar një libër mbi veprën e Bogdanit. “Jo”, më tha, “për Bogdanin nuk ka nevojë të përgatitem, mund të më pyesësh çka të duash e në çdo kohë, veç shikoje minutazhin e emisionit!“ Një javë më vonë e lamë të vinte në studio.

Në ndërkohë, derisa po bisedonim për këtë temë, Ibrahim Rugova më tha: “Do të përpiqem që vitin tjetër Prishtina ta ketë diku një pllakë përkujtimore për Bogdanin, pasi eshtrat e tij u zhvarrosën në mënyrën më mizore nga osmanët, ndërsa në kujtesën e kombi ai mbeti i pavdekshëm për lirinë e shqiptarëve dhe me veprën letrare. Pres të vë kontakt me hoxhën e Xhamisë së Madhe, që në murin e saj nga rruga, të lejohet vendosja e pllakës, aty përballë gjimnazit!“ Në ato hapësira mendonte Rugova se është varrosur dhe zhvarrosur Bogdani, pas vdekjes në Prishtinë. Po ashtu, ai ma shpaloi dëshirën për shkrimin e një biografie për Bogdanin… Vitin tjetër erdhën vlime të tjera politike. U rrënua me forcë rendi kushtetues i Kosovës nga Serbia në kuadër të asaj federate jugosllave dhe laku i dhunës shtetërore shtrëngohej edhe më shumë për çdo gjë që ishte shqiptare… Në dhjetor, në oborrin e Kishës Katolike u ngrit busti i Bogdanit ku u inaugurua nga vetë dora e Ibrahim Rugovës, ndërsa pak ditë më vonë, u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës ku ai u zgjodh prijës i kësaj lëvizjeje.

E përmenda idenë e tij, që Prishtina të stoliset me pllaka të tilla, sidomos aty ku lindën a vepruan veprimtarë të ndryshëm nëpër kohë, që bënë shumë për këtë vend. Kjo i jep pamje të re kryeqytetit dhe dëshmon kulturën tonë qytetare në çdo rast duke nderuar figurat e rëndësishme në një anë, ndërsa në anën tjetër për ta rikthyer kujtesën te brezat që vijnë për gjurmët tona të lashta në këtë qytet.

Në trend Kultura

Më shumë
Ana Komnena për zbarkimin e vikingëve në Durrës: Libri ku “për herë të parë” përmenden shqiptarët!

Ana Komnena për zbarkimin e vikingëve në Durrës: Libri ku “për herë të parë” përmenden shqiptarët!

Kulture
Portreti që frymëzoi Shekspirin të shkruante Othellon

Portreti që frymëzoi Shekspirin të shkruante Othellon

Piktura
ASAJ

ASAJ

Fjala+
TË JETOSH …

TË JETOSH …

Poezi
VDEKJES

VDEKJES

Poezi
Të fyer e të poshtëruar...

Të fyer e të poshtëruar...

Fjala+
Kalo në kategori