Ikonomi: Pse mediat botërore nuk i japin dot shpjegim protestës në Shqipëri


Ish-gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, ka reaguar lidhur me protestat në Shqipëri kundër ndërtimit të një resorti luksoz në një zonë të konsideruar monument natyror.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ikonomi tha se po i ndjek protestat nga Uashingtoni dhe se ndihet sikur është mes protestuesve.
“Jam i mahnitur nga kreativiteti i këtyre të rinjve. Ndërsa në raste të tilla sheshet e Europës shndërrohen në arena përleshjesh, tymi e zjarri, kjo e jona është një lumë i pafund memesh, videosh dhe artikulimesh inteligjente. Pa dhunë. Vetëm me dashuri për vendin, për tokën dhe për natyrën tonë të mrekullueshme që disa po e shkatërrojnë pa mëshirë”, ka shkruar ai.
Sipas Ikonomit, forma paqësore dhe kreative e protestës është e pazakontë, duke shtuar se kjo është arsyeja pse, sipas tij, mediat ndërkombëtare e kanë të vështirë ta shpjegojnë.
Ai veçoi edhe deklaratat e dy të rinjve, të cilët, sipas tij, kanë shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer për të jetuar në Shqipëri nëse largohet “kasta e korruptuar”.
“A ka gjë më të bukur se sa të kthehet një popullatë e re që sot konsiderohet e humbur, e ikur?”, shkroi Ikonomi.
Në fund të reagimit të tij, ish-gazetari kritikoi pushtetin, duke thënë se “vetëm një njeri i ka mbyllur veshët dhe nuk dëgjon”, duke shtuar se kjo ndodh kur “një njeri i vetëm mban peng një popull dhe një rini të tërë”.





































