LAJMI I FUNDIT:

Presidenti Thaçi e fton Kurtin në takim konsultativ për herë të tretë

Presidenti Thaçi e fton Kurtin në takim konsultativ për herë të tretë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ia ka dërguar edhe një letër për takim kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar Kurtin për përgjigjen zyrtare dhe duke mirëkuptuar pamundësinë e pjesëmarrjes së tij në dy takimet e së premtes, e ka ftuar atë sërish për takim, të martën më 31 dhjetor, në orën 10:00.


Në letrën e tij të tretë që e ka siguruar Telegrafi, presidenti ka thënë se me qëllim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë.

Kjo është letra e tretë e presidentit Thaçi dërguar kryetarit të Vetëvendosjes.

Ndryshe, Kurti ka refuzuar dy takimet e mëparshme të thirrura nga presidenti Hashim Thaçi. Pretendenti për udhëheqjen e ekzekutivit të vendit, Albin Kurti ka thënë se partia e Isa Mustafës e përcakton se kur do të formohet qeveria e re, e jo presidenti i Kosovës. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje theksoi se do të ndodhë takimi konsultativ me Hashim Thaçin, mirëpo siç tha ai ky i fundit nuk mund t’ia caktojë datën për formimin e qeverisë. /Telegrafi/