LAJMI I FUNDIT:

Pranga për gojën e Albinit!

“Wanted, Albin Kurti!”, ky mund të jetë pllakati i fundit, të cilin mund ta gjejnë qytetarët e Prishtinës të ngjitur nëpër muret dhe shtyllat e ndriçimit publik. Nëse deri dje policëve dhe prokurorëve të EULEX-it nuk u është bërë vonë ta arrestojnë Albin Kurtin, liderin e “Vetëvendosjes”, atëherë vizita e shefit të diplomacisë franceze, Bernard Kouchner, në Prishtinë dhe bërja publike e qëllimeve të vizitës së tij nga disa media do t’i ketë alarmuar organet e “drejtësisë” se nuk ka kohë për humbje.

As demonstrata e shkurtit 2007, kur u vranë dy aktivistët e “Vetëvendosjes”, as rrotullimi i xhipave të EULEX-it nuk janë gjynahet e Kurtit, që do ta çonin atë në bankën e të akuzuarve, as prapa grilave. Por, është goja e Albinint ajo që duan t’ia vendosin prangat diplomatë e politikanë ndërkombëtarë dhe krerët e institucioneve vendëse.


Tash e dhjetë vjet është Albini, dhe vetëm ai, që ka paralajmëruar për të gjitha zezat që do ta përcjellin gjysmëpavarësinë e Kosovës. Dhe, mbeti i vetmi ai që trumbetoi vazhdimisht se tolerimi i mbajtjes peng të veriut të Kosovës nga strukturat paralele serbe çon drejt ndarjes së Kosovës… Tha dhe vazhdon të thotë Albini edhe shumëçka tjetër, për pazotësinë e udhëheqësve të Kosovës, që po e çojnë anijen e këtij vendi drejt fundosjes.

Punë e madhe, do të thonë ata (liderët tanë). Me rëndësi është që rrjetat e tyre, të hedhura në oqean, po mbushen peshq, pa çka që po fundoset “Titaniku”. Ata, krahas gjahut të majmë në peshq, tashmë i kanë siguruar vetes edhe varkat për ta braktisur anijen që po e fundosin vetë.

Të kthehemi te Kouchneri.

Presidenti, kryeministri dhe ministrat përqafoheshin të hënën me Kouchnerin, kurse deputetët i duartrokitnin fjalimit të njeriut, i cili ishte i treti apo i katërti diplomat ndërkombëtar që ka ardhur ditët e fundit në Prishtinë, për të sjellë mesazhe ogurzeza për krerët e Kosovës. Përmbajtja e mesazheve që do t’i kenë marrë krerët e institucioneve tona tashmë është bërë publike, në formë jozyrtare, nga burime të larta diplomatike ndërkombëtare, e që drejtpërdrejt kanë të bëjnë me ridisejnimin e kufijve të Kosovës, nëpërmjet lansimit të idesë për një raund të ri bisedimesh me Serbinë, mbase për çështje “teknike”. Por, në të vërtetë, do të bisedohet për fatin e veriut të Kosovës, të komunave të tjera me shumicë serbe dhe për trashëgiminë e tyre fetare e kulturore.

Sipas asaj që po spekulohet, e që është realitet i krijuar tash e dhjetë vjet pas luftës, faktori ndërkombëtar ka vendosur që të rihapë një kapitull tjetër bisedimesh, për zgjidhjen e statusit të veriut. Ajo që pëshpëritej rreth ndarjes së Kosovës, tash edhe ka marrë formë debatesh nëpër media. Ishte indikative se dalja e Qeverisë së Kosovës me strategjinë për veriun, në fakt, nuk ishte gjë tjetër veçse edhe një përpjekje për të shitur mjegull (derisa të gjithë thonë: ja ku është lepuri, Qeveria e Kosovës thotë: ja ku janë gjurmët!).

Strategjinë e veriut tash e dhjetë vjet e ka trumbetuar Albini, e ajo është ndarja e saj nga Kosova, sepse këtë e ka lejuar faktori ndërkombëtar, serbët kanë këmbëngulur ta mbajnë nën administrim, kurse faktori kosovar nuk ka bërë asgjë ta ndryshojë situatën.

Varianti më pak i dhimbshëm do të ishte ndërrimi, krye për krye, i veriut me Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës), nëse do të ketë kush të bëjë pazar edhe për këtë variant. Por, në bazë të “zotësisë” së politikanëve tanë, të cilët deri tash janë dëshmuar si xhambazë të mirë veç në shitje-falje e gllabërim personal të pronës së Kosovës dhe në shitblerje gurësh e asfalti, gjithçka duket e zymtë për shtetin më të ri, në tenderin që do ta shpallë faktori ndërkombëtar për veriun.

Dhe, nëse procesi negociues për shkëmbim territoresh do të zvarritet, bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën s’do të ketë kush ta kërkojë. Shqiptarët e mbetur atje, duke gëzuar privilegjin e lëvizjes së lirë – pa viza si shtetas të Serbisë, janë duke pritur në radhë për të hipur në autobusët që çojnë në Evropën pa kufij.

Ashtu siç ndodh rëndom, krerët e institucioneve do të dalin në media dhe do të thonë: Harrojeni dhe mos e përmendni ndarjen e Kosovës! Ashtu siç thanë, harrojeni gjashtëpikëshin! Harrojeni protokollin UNMIK-EULEX-Serbi! Harrojeni Zanzi Barin! Por, më e mira do të ishte sikur të thonë: Na harroni neve! Harrojeni dhe mos shpresoni në zotësinë e udhëheqëse të vendit tuaj!

Për të gjitha këto, vazhdimisht foli, protestoi dhe vazhdon të flasë Albini. Prandaj, gjithë ky angazhim i EULEX-it bëhet për prangosjen e gojës së Albinit, që të shuhet edhe zëri i vetëm i mbrojtjes së popullit dhe të shtetit, që po i tkurren harta dhe flamuri.

Nejse! E gjithë kjo mbase nuk do të ndikojë që krerët e shtetit, Sejdiu dhe Thaçi, të mos shkojnë nën siglën “UNMIK/Kosovo” në konferencën rajonale të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Slloveni.