LAJMI I FUNDIT:

Po vjen era pranim

Po vjen era pranim

Si asnjëherë më parë, po vjen era anëtarësim në UEFA e FIFA. Pas evropianëve, edhe shtëpia e futbollit botëror, FIFA, konfirmoi se më 13 maj do ta shqyrtojë kërkesën për pranim që ka marrë nga Kosova. Madje, kjo organizatë paralajmëroi njohjen për Kosovën, nëse të njëjtën gjë e bën paraprakisht UEFA më 3 maj. FIFA theksoi se bashkë me UEFA-n tashmë janë duke e inspektuar shtetin që po i pret qe shumë vjet

Si asnjëherë më parë, është duke ardhur një aromë shumë e mirë për Kosovën nga UEFA e FIFA, shkruan sot Gazeta Zëri.


Pas shtëpisë së futbollit evropian (UEFA), e cila ka konfirmuar se më 3 maj do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim, edhe shtëpia e futbollit botëror e ka bërë të njëjtën gjë. FIFA njoftoi të martën se Kongresi i saj do të mbahet më 12 dhe 13 maj. Po ashtu, kjo organizatë konfirmoi se me këtë rast do ta shqyrtojë edhe aplikimin për anëtarësim që ka marrë nga Kosova.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka shpreh bindjen e saj se në maj vendi ynë përfundimisht do të anëtarësohet në këto dy organizata, ashtu siç kanë shpreh bindjen edhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe institucionet më të larta shtetërore. Ndërkohë, shenjat më bindëse kohëve të fundit kanë ardhur nga vetë UEFA dhe FIFA, të cilat tashmë kanë ndryshuar shumë karshi Kosovës. Normalisht, për të mirë.

Lajmëron FIFA: Po e inspektojmë Kosovën, gati pranimi

Në anën tjetër, zyrtarë të UEFA-s dhe FIFA-s kanë arritur të martën në Kosovë. Senesh Erzik, kryetar i Komisionit të Asociacioneve të FIFA-s, Peter Gileron, kryetar i Federatës së Futbollit të Zvicrës nga FIFA, si dhe Costakis Koutsokoumnis nga Qiproja dhe francezi Thiery Favre nga UEFA, do të qëndrojnë në Kosovë këto dy ditë, duke zhvilluar takime me udhëheqësit e FFK-së dhe me krerët më të lartë të Republikës së Kosovës. Ata do t’i vizitojnë edhe stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe stadiumin e Prishtinës.

Për këtë vizitë të zyrtarëve të saj dhe të UEFA-s të martën shkroi edhe FIFA në ueb faqen zyrtare të saj.

fifa
“FFK ka aplikuar për pranim në FIFA më 15 mars 2016. Në të njëjtën kohë, FFK pranoi se kjo mund të ndodh vetëm pasi të bëhet anëtare e UEFA-s. Në këtë mënyrë, kërkesën e FFK-së po e vlerëson një Komitet i Federatave të FIFA-s, në përputhje me rregulloret përkatëse të FIFA-s. Aplikimi i FFK-së është duke u proceduar nga FIFA së bashku me UEFA-n, si konfederatë përgjegjëse”, shkroi FIFA.com. “Si pjesë e procedurave përkatëse, të dy organizatat vendosën të kryejnë një vizitë inspektimi në Kosovë, e cila do të bëhet më 13 dhe 14 prill 2016 nga përfaqësuesit e administratave të FIFA-s dhe UEFA”, theksoi FIFA.

Ndër të tjera, FIFA e ka treguar procesin nëpër të cilin duhet të kalojë Kosova për t’u bërë anëtare e saj.

“Në përputhje me dispozitat përkatëse, nëse FFK pranohet si anëtare e UEFA-s, UEFA duhet t’ia paraqesë një raport përfundimtar Komitetit të Federatave të FIFA-s, për diskutim dhe rekomandim. Në fund, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s do të paraqesë kërkesën e FFK-s për pranim së bashku me një rekomandim që të pranohet ose refuzohet, në Kongresin e ardhshëm të FIFA-s”, ka potencuar FIFA.com, ku thuhet se FIFA do ta pranojë Kosovën, nëse të njëjtën gjë e bën paraprakisht UEFA më 3 maj.