LAJMI I FUNDIT:

Piraj kërkon reciprocitet me Serbinë, premton pagën e 14-të për punëtorët e tij (Video)

Piraj kërkon reciprocitet me Serbinë, premton pagën e 14-të për punëtorët e tij (Video)

Pronari i kompanisë “MEKA”, Burim Piraj në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës vendosjen e reciprocitet me Serbinë sa i përket importit të mallrave.

Pronari i kompanisë së njohur kosovare e cila merret me prodhimin e produkteve të mishit po ashtu ka treguar se përse nuk kanë marrë pjesë në panairin “Prishtina 2017”.


“Ne kemi shumë kohë të gjatë probleme me Serbinë pasi që nuk mund të bëjmë transitin e mallrave. Po vazhdon pengesa dhe nuk po na lejohet transiti i thjeshtë i mallrave e lëre më të eksportojmë në Serbi”, ka thënë Piraj.

Ai ka shtuar se përderisa të dy vendet edhe Kosova edhe Serbia janë anëtare të barabarta të CEFTA-s, atëherë duhet të sillen si të tillë.

“Në shenjë proteste të barrierave të njëanshme që i bënë Serbia bizneseve të Kosovës dhe ekonomisë kosovare, unë kam vendosur mbrëmë që të mos jem pjesë e panairit dhe tu drejtohem me një letër publike institucioneve të Kosovës”, tha Piraj.

Ai shtoi se përmes kësaj letre i ka kërkuar presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Kadri Veseli, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit të OEK-ut Safet Gërxhaliu, që të ngrenë këtë çështje dhe të fillojnë ta marrin më seriozisht.

“Çështja ekonomike e Kosovës ka ngecur shumë, prandaj mendoj se kjo duhet të merret seriozisht. Unë vetëm po kërkoj reciprocitet dhe barabarësi të ekonomisë dhe tregtisë në mes dy vendeve, siç jemi Kosova dhe Serbia”, u shpreh Piraj.

Pronari i kompanisë “MEKA” nga Dragashi, Burim Piraj, ka folur edhe për motivimin që kompania e tij u bën punëtorëve.

Ai ka premtuar se më 15 janar të vitit 2018, punëtorët e kompanisë së tij do ta marrin edhe pagën e 14-të. /Telegrafi/