eksperti ad

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ndaj zhvillimeve që lidhen me fabrikën e qumështit VITA, duke shprehur shqetësim për, siç e cilëson, dëmtimin e prodhimit vendor dhe klimës së të bërit biznes në vend.

Sipas LBK-së, fabrika e qumështit VITA i posedon të gjitha certifikatat e nevojshme dhe i plotëson standardet e kërkuara, ndërsa çdo veprim ndaj një prodhuesi të tillë, sipas tyre, ngre shqetësime serioze dhe cenon besimin e investitorëve në Republikën e Kosovës.


Në reagimin e saj, Lidhja e Bizneseve u ka bërë thirrje ministrave dhe zyrtarëve institucionalë që të shmangin veprimet të cilat, sipas saj, nuk i bëjnë nder as institucioneve, as politikës dhe as shtetit të Kosovës.

LBK vlerëson se situata me Qumështoren VITA përbën alarm për të gjithë sektorin privat, duke theksuar se mbyllja e një prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë nuk prek vetëm kompaninë, por edhe qindra vende pune, fermerë, furnizues të qumështit dhe të gjithë zinxhirin e furnizimit.

Sipas këtij organizimi, veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë prodhimin vendor, të cenojnë tregjet e brendshme dhe të jashtme për produktet e Kosovës, si dhe të favorizojnë rritjen e importit në dëm të prodhimit vendas.

"Lidhja e Bizneseve të Kosovës" thekson se institucionet duhet të garantojnë sundimin e ligjit, por pa selektivitet, presion apo vendime që, sipas saj, dëmtojnë ekonominë dhe prodhuesit vendorë.

Në fund, LBK ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë prodhimin vendor, ruajtjen e vendeve të punës dhe zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, duke kërkuar ndaljen e politikave që, sipas saj, dëmtojnë klimën e biznesit në vend./Telegrafi/