Shkurtin që lamë pas, para se të ndërpriteshin aktivitetet e basketbollit për shkak të pandemisë, Christos Marmarinos bëri debutimin e tij si trajner i Kombëtares së Kosovës me dy fitore ndaj Islandës (në Prishtinë) dhe ndaj Luksemburgut (fitorja e parë jashtë fushe në historinë e basketbollit në vend), në kuadër të para-kualifikimeve të Kupës së Botës të 2023.

Trajneri 43-vjeçar iu shtua listës së gjatë të trajnerëve grek që punojnë jashtë vendit të tyre dhe për intervistë që dha për AllStar Basket bisedojmë për “faqen” e re në karrierën e tij, në Kosovë, e cila u bë anëtare e FIBA në vitin 2015, matematikën dhe basketbollin, të cilat janë aktivitetet e tij të preferuara, ndërkohë që…hapi zemrën për Olimpiakosin, në të cilën qëndroi 14 vjet si ndihmëstrajner i tetë trajnerëve të ndryshëm të parë.

Christos Marmarinosin e takuam te “Eurohoops Dome” me seli “Eurohoops Academy” të Theodori Papalouka, Dimitri Diamanti dhe pyetja e parë që i bëmë ishte sesi ndodhi hapi i ri në karrierën e tij, që është shumë i guximshëm. “Gjithçka nisi prej nxitjes së ish lojtarit të Olimpiakosit dhe agjentit aktual, Boris Gorens, i cili është mik me Presidentin e Federatës së Kosovës” përgjigjet trajneri 43-vjeçar – transmeton faqja e FBK-së.

“Më pyeti nëse jam i interesuar të kaloj nëpërmjet një procedure intervistimesh për vendin e trajnerit të Kombëtares së Kosovës. Nga Federata më shpjeguan se kanë një vizion afat-gjatë dhe se nuk duan një trajner vetëm për një-dy vjet. E mora përsipër këtë rol për të “ndërtuar” një program për shumë vite të ardhshme, duke u bazuar në doktrinën e Federatës, siç e karakterizojnë ata. Të gjitha klubet duan të ndjekin një mënyrë të caktuar të luajturi. Një mënyrë të luajturi me të cilën do merremi dhe do e formësojmë duke u bazuar në karakteristikat e lojtarëve që tashmë kanë”.

(Foto: basketbolli.com)

A ekziston një mani për basketbollin në Kosovë, siç thonë të gjithë ata që kanë udhëtuar atje?

“Po, është e vërtetë që ka një mani për basketbollin në vend. Për shumë vite, në Kosovë jetonin nën presion. Popullit nuk i lejohej të merrte pjesë në ngjarje sportive, të kishte bileta në grupe. E kam fjalën për vitet e fundit të presidencës së Millosheviçit në Serbi. Vitet e mëparshme, gjatë regjimit Jugosllav, Kosova ka pasur prezencë aktive sportive. I gjithë ai presion që kanë kaluar, u është kthyer tashmë në energji dhe dispozicion. Të gjithë përpiqem sa munden që të krijojnë diçka të mirë për vendin.”

Kanë dhe traditë basketbolliste, a nuk është kështu?

Disa prej klubeve të kampionatit në Kosovë kanë buxhet mjaft të lart, siç më ka treguar Toni Konstantinidis, kur ishte trajner në Rethimno.

“Konstantinidis ishte në Prishtinë dhe pak para izolimit u rikthye në kryeqytetin e Kosovës. Dy skuadra kanë vërtet buxhet shumë të mirë, është diçka e vërtetë. Ka njerëz të cilat janë të interesuar realisht për basketbollin. Isha prezent në Final 8 të Kupës së Kosovës dhe mbeta shumë i impresionuar. Palestra e basketbollit në qytetin e Rahovecit ishte e re dhe e bukur, plot me tifozë të gjitha klubeve. Për fat të keq nuk zhvillojmë Final 8 në Greqi”.

Prej lojtarëve është ndonjë i njohur?

“Lojtari më i njohur i tyre është Dardan Berisha, i cili ka luajtur në të kaluarën në Itali, Poloni, ka bërë një karrierë mjaft të mirë nëpër palestrat evropiane. Është kthyer në Kosovë, pas shumë viteve jashtë vendit dhe dëshiron të qëndrojë me familjen e tij. E shikon më shtruar basketbollin tashmë, pasi është i madh në moshë. Ka dhe lojtarë të tjerë të cilët kanë luajtur për Kombëtare të vogla të vendeve të tjera, si, të Sllovenisë apo Turqisë. Për shembull, kosovar është Sipahi që luan me vite për Kombëtaren e Turqisë. Kosovar ishin dhe familja Beçiroviq. Kush në të kaluarën ishin të mirë, largoheshin nga Kosova dhe merrnin nënshtetësi tjetër në vendet e tjera fqinje. Ky është një problem dhe dëshirojmë që të riatdhesojmë ata të cilët kanë ndryshuar nënshtetësinë.”

Sa është popullsia e Kosovës?

“Është diku tek dy milion. Por, kanë shumë diasporë të madhe, shumë emigrantë jashtë vendit. Në Amerikë, në kolegje, luajnë 5, 6 lojtarë. Ka gjithashtu, diasporë të madhe edhe në Evropë. Kosovarë ka shumë në Zvicër, Gjermani, kur luajtëm në Luksemburg, palestra ishte e stërmbushur 80% nga emigrant kosovarë.”

Është një risk, gjithsesi, ta marrësh përsipër në punën tënde të parë si trajner në Ekipin Kombëtar, se nuk ke të njëjtin kontroll me një klub.

“Kur mu afrua kryetari i Federatës së Kosovës, më tha se mund të mos kemi instalimet dhe infrastrukturat siç i kanë kombëtaret e vendeve të tjera, por kemi durimin që ato nuk e kanë. Ky ishte një faktor kryesor që unë të pranoj propozimin. Nga këtej e tutje, besoj se gjithçka është roli. Në basketboll nuk besoj se vetëm një i vetëm mund të drejtoj, janë të nevojshme grupet. Në Federatë, ekziston një grup trajnerësh të cilët punojnë dhe besoj se grupi i trajnerëve e shtyn një skuadër të shkojë përpara dhe jo një i vetëm. Nuk jetojmë më në vitet 80-ta ku ekzistonte një diktator-trajner dhe gjithë të tjerët ishin të disiplinuar ndaj tij.

Tashmë, të gjithë trajnerët kanë grupin e tyre dhe kjo është ajo çka po përpiqem të bëj në Kosovë. Është një detyrim i imi të ndihmoj në trajnimin e trajnerëve kosovarë. Në thelb, të formoj një grup dhe me 4-5 vetë të tjerë të mund të bëjmë diçka të gjithë së bashku. Kështu ndahen përgjegjësitë dhe detyrimet dhe ajo që në fakt duhet të bësh është të menaxhosh. Është një rol krejt i ndryshëm me atë çka kisha më parë, por sërish unë nuk kam dëshirë të dukem si udhëheqës dhe gjithë të tjerët të më ndjekin mua. Jo, jemi një ekip, që sigurisht do jem ai që do i akordoj, por jo ti imponoj. Për ditët e sotme, ky është model i vjetër.”

Të gjithë bashkëpunëtorët e tu janë kosovarë?

“Po, të gjithë bashkëpunëtorët e mi janë kosovarë. Kam një bashkëpunëtor me eksperiencë i cili është pjesë e Federatës prej vitesh dhe tre trajner të rinj dhe shpresëdhënës të cilët trajnojnë ekipe në A1 dhe në A2 dhe janë ata të cilët veçoi Federata, që i kanë dhënë provat për tu përmirësuar me praninë time. Dinë të komunikojnë në gjuhën angleze, kanë nivel përvojë, etj.”

Çfarë do që të “ndërtosh” në Kosovë? Cili është vizioni yt?

“Duam të “ndërtojmë” një mentalitet për të gjithë basketbollin në vend. Një gjë e tillë kërkon shumë punë, shumë promovim i punës, kontaktimet nëpërmjet gazetarëve, që të ketë mbështetje nga komuniteti. Duam të “ndërtojmë” një mënyrë të luajturi dhe trajnimi, i cili të jetë i njëjtë për të gjithë dhe ngaqë Federata ka kontroll të madh ndaj shoqatave, të përhapet edhe në sindikata. Të kemi një model, ku të kemi mbrojtje të fortë, do befasojmë dhe do shënojmë me tre pikësha. Modeli i cili do zgjedhim, do përhapet në të gjithë basketbollin kosovar. Të bëjmë një trajnim të trajnerëve, të bëjmë një trajnim të gjyqtarëve- është një punë e madhe e cila do bëhet në të gjitha drejtimet.”

Je përgjegjës edhe për Kombëtaret e tjera?

“Jam përgjegjës edhe për ekipet e tjera të Kombëtares së Kosovës, sepse bashkëpunëtorët e mi janë dhe trajnerë të parë në moshat e vogla. Basketbolli që duam të luajmë, do përcillet nga bashkëpunëtorët e mi edhe në moshat e tjera. Një nga arsyet për të cilat do shkoj në Kosovë në gusht, është që të shoh dhe talentet e moshave më të vogla”.

Ëndrra është që Kosova të marrë pjesë në evente të mëdha si p.sh. Eurobasket?

“Po, të marrim pjesë në Eurobasket. Ëndrra e njerëzve që merren me bashketbollin në Kosovë është që të arrijmë të ndërtojmë një sistem akademik, për ta lidhur atë me sportet shkollore, në mënyrë që çdo vit të mund të formohet një numër i mjaftueshëm lojtarësh për grupet A1 dhe për “trupin” e kombëtares për 10 sezonet e ardhshme. Plani që kanë është shumë afatgjatë. Më shumë u intereson të arrijnë të prodhojnë lojtarë, dhe ti përgatisin ata që të luajnë në nivelin e Basketball Champions League, Eurocup, Euroliga. Në këtë mënyrë besojnë së do rritet dhe Kombëtarja. Më tepër rëndësi i japin zhvillimit të lojtarëve në lidhje me zhvillimin e një ekipi.”

Të kujton Greqinë e viteve 80.

“Pikërisht, kjo është ajo çfarë doja të thosha. E gjithë struktura të kujton Greqinë e viteve 80 kur sapo kishte filluar të zbatohej Programi i Zhvillimit të EOK, ‘lufta’ të cilën jepte atëherë Giorgos Vasilokopoulos në mënyrë që basketbolli të transmetohej çdo të shtunë në televizion etj. Si Greqia e viteve 80. Ngjasojnë shumë dhe mekanizmat dhe veprimtaritë e Federatës së Kosovës me ato të atyre që drejtonin basketbollin në Greqi gjatë viteve 80.”

Si u mirëprite në Kosovë?

“Pritja në fillim ishte pak e vakët pasi kishte një paragjykim në lidhje me prejardhjen greke. Në Kosovë mendojnë së ne jemi më të afërt me serbët dhe se nuk i mbështesim në luftën e tyre të pavarësisë. Personalisht, u fokusova më shumë te të përbashkëtat që kemi si popuj ballkanik sesa tek ato gjëra që na ndajnë. Më pas e përqafoi ekipi dhe u mbush plot palestra në ndeshjen që u zhvillua me Islandën. Ekziston akoma një grup njerëzish në Kosovë të cilët akoma mendojnë në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, dhe nuk e mbështesnin aq shumë diçka kombëtare të Kosovës, por gjithsesi palestra u mbush plot me njerëz dhe e mbështetën ekipin. Ishte një bast i cili duhej fituar. Bëmë një përpjekje shumë të madhe komunikative në mënyrë që njerëzit të kuptojnë çfarë duam dhe të mbështeste ekipin. Për fat të mirë, një gjë e tillë ndodhi dhe Kombëtarja u mbështet shumë. Për nga popullariteti po i afrohet Kombëtares së Futbollit, e cila vërtet është krenaria e Kosovës.”

Fakti që je trajner grek, të ndihmoi në Kosovë të merrje punën? Shumë trajnerë grek punojnë jashtë vendit dhe shumica në nivele të larta.

“Jo, nuk ndihmoi. Ishin shumë ata të cilët nuk më shihnin me sy të mirë, jo për arsye të basketbollit. Kur u përqendrua puna tek basketbolli, njerëzit e ‘përqafuan’ 100% projektin si brenda Federatës, ashtu edhe jashtë saj. Ajo që ndihmoi të merrja punën ishte eksperienca zhvilluese që kisha tek Olimpiakosi. Kur isha tek Olimpiakosi, u shfaqën lojtarë të rinj prej programit të ekipit. Kjo mendoj se ishte arsyeja që unë e mora punën. Metodologjinë dhe eksperiencën që kisha tek Olimpiakos, duan që ta përcjell edhe në Kosovë.”

Revista mujore ALLSTAR BASKET (korrik-gusht 2020)