Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll nuk është askund

Nuk ka përzgjedhës, që disa vjet nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje miqësore, as nuk kanë pasur stërvitje e as nuk kanë mbajtur ndonjë kamp. Masar Nixha dhe Bujar Loci thonë se Përfaqësuesja nuk është e gatshme për ndeshje zyrtare dhe nuk mund të matet me Kombëtare tjera
Ish-ndihmëstrajneri i Kosovës, Bujar Loci, thotë se Përfaqësuesja nuk është gati për ndeshjet zyrtare ndërkombëtare. “Nuk jemi të përgatitur. Që një kohë të gjatë nuk kemi zhvilluar as ndeshje miqësore dhe nuk po kemi pasur stërvitje. Nuk kemi mbajtur as kamp të basketbollit dhe jemi të papërgatitur për ndeshje ndërkombëtare. Një gjeneratë është në përfundim të karrierës. Mendoj se kohën më të mirë e kemi pasur kur e kemi fituar turneun ndaj Egjiptit dhe Rumanisë. Ky është suksesi më i madh në sportet kolektive pas luftës”, ka thënë Loci për ‘Sport Plus’.
Eksperti i basketbollit, Masar Nixha, është shumë pesimist për pranimin e Kosovës, por edhe kjo sikur të ndodhë është pesimist për rezultatet që do të arrijnë.
“Pranimi është shumë i vështirë, pasi serbët janë të kyçur në instancat më të larta. Por, edhe sikur të pranohemi nuk jemi në nivelin e duhur. Shumë lojtarë të huaj po luajnë në elitë. Në gara ndërkombëtare do të jemi të hendikepuar shumë. Unë që dhjetë vjet e them këtë. Duhet kushtuar më shumë rëndësi basketbollistëve vendorë”, është shprehur Nixha. /Telegrafi/



















































