Për pesë ditë, në stadiumin e Prishtinës do të luhen tri ndeshje

Si asnjëherë më parë në vitet e pasluftës, stadiumi i Prishtinës do të jetë arenë e dy ndeshjeve tejet të rëndësishme. Të shtunën, Prishtina sfidon Sivasporin e njohur turk, derisa një ditë më vonë miqësore luan edhe Përfaqësuesja e Kosovës ndaj Omanit. Mirëpo, këto nuk do të jenë ndeshjet e vetme që do t’i ‘përpijë’ terreni i stadiumit të Prishtinës, pasi kjo skuadër sot luan ndeshjen kampionale me Feronikelin.
Në këtë mënyrë, brenda pesë ditësh, në këtë fushë zhvillohen tri ndeshje. Aktualisht, terreni është në gjendje të mirë, por reshjet e fundit të shiut kanë bërë që të dyshohet nëse fusha do të jetë në gjendje të mirë për ndeshjen e së dielës.
“Ne jemi në përfundim të punimeve në stadium. Fusha aktualisht është në gjendje të mirë dhe besoj se do t’i përballojë ndeshjeve. Në bazë të asaj që e kam parë, në fundjavë nuk do të ketë reshje të shiut dhe kjo na e lehtëson punën”, theksoi nënkryetari i klubit të Prishtinës, Afrim Muçiqi. Megjithatë, sipas meteorologëve, gjatë ditëve të ardhshme, por edhe në fundjavë pritet të ketë reshje të shiut.
Parashikimet e ekspertit Sejdiu
Lidhur me gjendjen e fushës së Prishtinës ka folur edhe eksperti për mirëmbajtjen e tyre, Sakip Sejdiu, i cili përgatiti edhe terrenin e stadiumit ‘Adem Jashari’ për miqësoret ndaj Haitit e Turqisë. Ai pohon se në bashkëpunim me drejtuesit e Prishtinës është i angazhuar edhe për mirëmbajtjen e fushës së këtij klubi.
“Për momentin, fusha e stadiumit të Prishtinës i përballon tri ndeshje brenda pesë ditësh, nëse reshjet e shiut nuk janë të mëdha. Përndryshe, do të ishte problem. Së fundmi kemi intervenuar, pasi një pjesë e barit është dëmtuar”, njoftoi Sejdiu për ‘Sport Plus’.
Gjithsesi, sipas tij, problemi mund të shfaqet të shtunën. “Për ndeshjen e nesërme (sotme) nuk është problem, pasi kemi kohë deri të shtunën. Mirëpo, sikur të shtunën të kishte reshje me intensitet më të lartë të shiut, mund të përkeqësohej gjendja e fushës. Të shtunën gjatë natës do të intervenohet në terren për t’u përgatitur për të dielën”, përfundoi Sejdiu. Me qëllim që mos ta dëmtojnë terrenin në kryeqytet, skuadra e Prishtinës stërvitjet është duke i kryer në stadiumet e KEK-ut në Obiliq.
Punimet tjera
Nënkryetari i klubit të Prishtinës, Afrim Muçiqi ka thënë se në stadium po punohet edhe rreth përmirësimit të gjendjes së dhomës së zhveshjes së mysafirëve, nëpër korridore, rrethoja e hyrje të stadiumit, e po ashtu në tribunën “VIP”. /Telegrafi/



















































