Për çka ta mbajmë mend opozitën?!

Burim Ramadani i AAK-së, i cili shpeshherë mundohet t’i shmanget zakonshmërisë edhe kur del para kamerave për tema jo të zakonshme, u mundua të tregohej i tillë, atraktiv, duke e tallur vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për mos-vendosjen e kamerave, kur i’u drejtua gazetarëve në ndërtesën e kësaj partie me këto fjalë: “Pse keni ardhur me kamera, a e kemi vendos pa to?!". Por, megjithëkëtë niveli i komunikimit mbetet i njëjtë.
Kam bindjen se kësaj partie por, edhe të tjerave që e kërkuan këtë, nuk do t’i pëlqente një vendim ndryshe. Madje, ata e dinin se kështu do të ndodhte. Por, në verë ku zakonisht mungojnë aktivitetet politike, apo ku konferenca për media gjatë vikendeve mbajnë vetëm PD-ja dhe Ora, “ideatorët dhe përkrahësit” e kamerave, ia arritën qëllimit të tyre, duke qenë në qendër të vëmendjes së edicioneve qendrore të lajmeve dhe njëkohësisht edhe publikut.
Është e kuptueshme që e gjithë kjo është pjesë e fushatës së tyre para zgjedhjeve të nëntorit. Duke qenë i pamundur krijimi i boshtit të përbashkët opozitar pas nëntorit të 2007-ës, disa nga këto subjekte, arritën që të bashkohen rreth një ideje, që synonte të diskreditonte politikën aktuale.
Nuk i shpëtoi as KQZ-ja kësaj politike diskredituese, ndonëse përbëhet nga partitë politike më të fuqishme në vend. E kush nuk do të arrijë të kuptoj se një ide e AAK-së apo e AKR-së do të mbivotohet nga PDK-ja, që ka po aq anëtar sa të dyjat së bashku?!
Kjo fushatë mediale, dhe atakimi i KQZ-së nuk filloi për kamera. Ishte çështja e përcaktimit të datës së zgjedhjeve, fillimisht.
Natyrisht, nuk përkrah as arsyetimin e një anëtari të PDK-së, kur thotë se, kamerat do të “thyejnë intimitetin” e votuesit. Behxhet Shala e tha (nëse e kujtoj saktë) se, “askush nga votuesit nuk do të bënte seks para tyre”. Nëse ju do të kërceni i vetëm në dhomë, në momentin që do të vëreni se dikush po ju përgjon, ju do të tregoheni i matur. Madje përmes kamerave nuk do të ndalohej vjedhja e votave. Ta dini se, ata që po planifikojnë të vjedhin votat do ta bëjnë këtë edhe kur kutia e votimit nxirret nga qendra e votimit..
Askush nuk më bind mua si votues që vota vidhet vetëm brenda qendrës së votimit. Një zyrtar i ORA-s më tha një ditë se, na kanë humbur aq vota të mjaftueshme sa për të kaluar pragun elektoral. Por, për këtë fajësoi më shumë vëzhguesit e partisë së tij, që kanë lejuar që për "hiç gjë" të tradhtojnë partinë e tyre. Për më tepër nga zgjedhjet e kaluara kemi mësuar se, disa parti politike në radhët e tyre kanë pasur njerëz që: në vend se të angazhoheshin për suksesi e partisë që përfaqësonin, ata e bënin të kundërtën, i pamundësonin asaj që të ketë sukses, sepse, në fakt nuk përfaqësonte atë subjekt politik.
Gjatë këtij debati, më shumë demagogjik, që partitë politike u munduan të paraqiten tamam si kujdestar të popullit, e sidomos atij debati në KQZ, e vetmja fjalë që ia vlen të mbahet mend nga opozita, që më bëri të qesh me zë, është ajo e Fadil Malokut kur iu drejtua Blerim Burjanit, i cili po fliste në gjuhën angleze, duke i thënë: "Fol shqip qysh e ka lan Zoti".
(Autori është gazetar nga Prishtina)





































