Pas transferimit rekord të Rogers, Chelsea përgatit një tjetër nënshkrim të bujshëm

Chelsea ka kthyer menjëherë vëmendjen te një tjetër yll i Ligës Premier, vetëm pak orë pasi kompletoi transferimin rekord të Morgan Rogers nga Aston Villa.
Mesfushori anglez iu bashkua klubit londinez për 138 milionë euro, një rekord britanik transferimesh, duke firmosur një kontratë gjashtëvjeçare.
Chelsea mposhti konkurrencën e Arsenalit për të siguruar shërbimet e 23-vjeçarit, edhe pse "Topçinjtë" nuk paraqitën kurrë një ofertë zyrtare.
Shuma e paguar për Rogers është gjithashtu rekordi i klubit, ndërsa te Chelsea shpresojnë që ai të krijojë një dyshe të fortë në mesfushë me mikun e tij të ngushtë dhe ish-bashkëlojtarin te akademia e Manchester Cityt, Cole Palmer.
Megjithatë, londinezët nuk kanë ndërmend të ndalen me kaq.
Sipas BBC Sport, Chelsea ka bërë një ofertë prej rreth 76 milionë eurosh për mesfushorin e Bournemouthit, Alex Scott, por ajo është refuzuar.
Raportimet për ofertën dolën menjëherë pas zyrtarizimit të Rogersit, duke treguar se drejtuesit e klubit synojnë të ndërtojnë një bërthamë të re lojtarësh të rinj britanikë në mesfushë nën drejtimin e trajnerit Xabi Alonso.
Scott, 22 vjeç, konsiderohet një nga talentet më premtues të Ligës Premier. Ai pati një rol kyç në sezonin e kaluar, duke ndihmuar Bournemouthin të përfundonte në vendin e gjashtë dhe të siguronte për herë të parë në histori pjesëmarrjen në garat evropiane.

Mesfushori nuk u përfshi në listën përfundimtare të Anglisë për Kupën e Botës, por ishte pjesë e grumbullimit paraprak të kombëtares. Ai gjithashtu qëndroi në stol pa luajtur në fitoren miqësore 1-0 ndaj Zelandës së Re.
Për Scott interesim kanë shfaqur edhe Manchester City, Arsenal, Manchester United dhe Liverpooli, ku trajner është ish-trajneri i Bournemouthit, Andoni Iraola.
Gjithashtu raportohet se futbollisti ka refuzuar ofertën për rinovimin e kontratës, edhe pse marrëveshja aktuale, e nënshkruar në vitin 2023, skadon pas dy vitesh./Telegrafi/










































