LAJMI I FUNDIT:

Pas sulmit të Iranit kundër Izraelit, duhet të ndalet përshkallëzimi i mëtejmë

Pas sulmit të Iranit kundër Izraelit, duhet të ndalet përshkallëzimi i mëtejmë

Udhëheqësit perëndimorë duhet të bëjnë gjithçka që munden për të parandaluar reagimin e tepruar nga Netanyahu, gjë që mund të çojë në luftë të gjithanshme rajonale.

Nga: Kolegjiumi i redaksisë i javores britanike The Observer
Përkthimi: Telegrafi.com


Sulmi ushtarak i Iranit ndaj Izraelit, i cili nisi të shtunën mbrëma, ka potencialin ta kthejë krizën e Gazës në një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme – duke tërhequr ShBA-në dhe vendet e tjera, përfshirë Britaninë. Ky ishte skenari të cilit ia kishin frikën qeveritë perëndimore dhe arabe, që nga sulmet e 7 tetorit të Hamasit – aleatit të ngushtë të Iranit – kundër Izraelit. Tani, kur erdhi më e keqja, askush nuk mund ta dijë se kur dhe si do të përfundojë. Ky konfrontim i paprecedentë kokë më kokë midis Izraelit dhe Iranit, duhet të zbutet përpara se të dalë krejtësisht jashtë kontrollit.

Raportet e para nga Izraeli – duke cituar Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) – kanë thënë se Irani kishte lëshuar dhjetëra dronë në caqet e supozuara izraelite. Pastaj erdhi lajmi i pamundur për t’u verifikuar, se Irani gjithashtu i hodhi raketat kruzë – kërcënim shumë më i madh dhe më i shpejtë. Izraeli tha se sistemet e veta të mbrojtjes ajrore dhe antiraketore ishin në gatishmëri të plotë dhe se po mbyllej hapësira ajrore e Izraelit. Jordania dhe Iraku njoftuan për masat e ngjashme. Raportet saudite thanë se mbi Siri dhe Irak, ShBA-ja kishte shkatërruar disa prej dronëve. Hezbollahu në Liban dhe forcat Huti në Jemen, gjithashtu hodhën raketat drejt Izraelit në atë që dukej si ofensivë e bashkërenduar.

“Pak kohë më parë, nga territori i vet, Irani i lëshoi mjetet ajrore pa pilot, kundër territorit të shtetit të Izraelit … në gatishmëri të lartë është grupi i mbrojtjes ajrore i IDF-së, së bashku me aeroplanët luftarakë të forcave ajrore të Izraelit dhe anijet e marinës izraelite të cilat janë në mision mbrojtjeje për hapësirën ajrore të Izraelit. IDF-ja i monitoron gjithë objektivat”, tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite. Shtëpia e Bardhë konfirmoi se kishte filluar sulmi ajror iranian dhe tha se presidenti Joe Biden vazhdimisht informohej nga këshilltarët e vet të sigurisë kombëtare.

Duhej supozuar se nëse dronët dhe raketat iraniane qëllojnë objektivat në territorin izraelit ose godasin qytetet izraelite, qeveria e Benjamin Netanyahut do të përgjigjej në të njëjtën mënyrë, siç ka kërcënuar të bëjë. Javën e kaluar, Bideni tregoi se ShBA-ja do të mbështesë dhe ndoshta do t’i bashkohej izraelit hakmarrës në çdo aksion ushtarak. Izraeli, tha ai, e ka mbështetjen amerikane për “mburojën e hekurt”. Në një situatë të tillë, është i konsiderueshëm presioni mbi aleatët e Amerikës dhe Izraelit, për të ndihmuar në çdo përplasje të mëvonshme. Rishi Sunak duhet të mendojë me shumë kujdes se çfarë do të bëjë më pas.

Ajo që mbi të gjitha na duhet tani, është maturia. Netanyahu dhe aleatët e tij të koalicionit ekstremist, nuk janë të njohur për cilësitë e tilla. Kjo e shton rëndësinë që amerikanët dhe Britania t’i përdorin të gjitha fuqitë e veta bindëse dhe të gjitha mjetet e disponueshme diplomatike, në përpjekjen për ta moderuar reagimin e Izraelit dhe për të ndalur sulmet e mëtejshme nga Irani. Instinkti i parë i Netanyahut, nëse Izraeli goditej keq, mund të ishte sulmi ndaj objekteve bërthamore të Iranit, gjë që ai në të kaluarën ka kërcënuar se do ta bëjë, dhe ndoshta edhe objektivat e udhëheqjes së regjimit në Teheran. Ta bësh një gjë të tillë do të rrezikonte një kthesë tjetër në spiralen e përshkallëzimit, duke çuar në mënyrë të pashmangshme në një luftë të gjithanshme.

Është jetike që kjo flakë të shuhet me shpejtësinë më të madhe sepse, nëse jo, mund të përhapet shpejt në të gjithë rajonin, duke e ndezur Bregun Perëndimor – të mbërthyer tashmë nga zjarri – dhe më gjerë. Fatkeqësia e tillë do ta zgjaste mjerimin e Gazës, do të shkatërronte bisedimet për lirimin e pengjeve dhe do të shtrinte paqëndrueshmërinë në Liban dhe ndoshta edhe në Irak, në Siri, në Gjirin Persin dhe në Detin e Kuq.

Konfrontimi i hapur ShBA-Iran do të ndante demokracitë perëndimore, do të dëmtonte ekonominë globale, do të destabilizonte shtetet arabe pro-perëndimore, do të nxiste ambiciet gjeopolitike të Kinës dhe do të anashkalonte luftën kundër intensifikimit të agresionit rus në Ukrainë. Më shumë se kaq, do të ishte dhuratë për Netanyahun dhe aleatët e tij të ekstremit të djathtë, politika e vetme e të cilëve është lufta e përhershme.

Në mes të trazirave të tanishme, nuk duhet harruar se ky sulm iranian u provokua më 1 prill – të paktën sipas udhëheqjes së Iranit – nga bombardimi i papranuar nga ana e Izraelit, ndaj një aneksi të Ambasadës iraniane në Damask ku u vranë disa komandantë të lartë. Sipas këndvështrimit jo të paarsyeshëm të Teheranit, duke synuar objektet diplomatike, ai sulm e kaloi vijën e kuqe. Për udhëheqësin suprem, Ayatollah Ali Khamenei, përbënte sulm ndaj territorit sovran iranian. Nuk mund të kalonte pa reagim.

Një rrjet kompleks merimange në përllogaritjeve, paqartësi dhe motive të fshehura, qëndron prapa konfrontimit të mbrëmshëm. Irani synonte të përfitonte nga lufta e Gazës, duke e zgjeruar ndikimin e vet rajonal përmes forcave proksi [jashtë shtetit] në Siri, në Irak, në Jemen dhe në Liban – te “boshti i rezistencës”. Teksa mohon se kishte njohuri për sulmet e 7 tetorit, e ka vazhduar mbështetjen për Hamasin dhe i ka duartrokitur bombardimet pasuese të Hezbollahut ndaj Izraelit verior. Por, e kishte shmangur, deri tash, konfrontimin e drejtpërdrejtë me Izraelin.

Vendimi për të sulmuar, duke injoruar në fund lutjet e ministrave të Jashtëm evropianë dhe arabë, si dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë nga sekretari i Jashtëm, David Cameron, pasqyron dominimin në Teheran të linjës së ashpër që mban levat e pushtetit. Është e thellë urrejtja e tyre ideologjike ndaj Izraelit dhe ShBA-së.

Për ta, konfrontimi me Perëndimin është justifikimi përfundimtar, ndoshta i vetmi justifikim për sakrificat e tmerrshme dhe politikat katastrofale të cilat teokracia islame – e themeluar pas revolucionit të vitit 1979 – ia ka imponuar popullit iranian.

Një dinamikë jo shumë më ndryshe është e dukshme brenda Izraelit, ku koalicioni i ekstremit të djathtë i Netanyahut është përballë murit. Sjellja e saj e turpshme gjatë luftës së Gazës ka sjell përçmim ndërkombëtar mbi kokën e Izraelit, ndërkohë që nuk ia doli ta mposhtte Hamasin. Kundërshtarët thonë se Netanyahu po e zgjat – dhe zgjeron – luftën për ta shpëtuar lëkurën e vet. Në këtë aspekt, sulmi në Ambasadën e Damaskut ishte përshkallëzim i qëllimshëm i krijuar për ta forcuar pozicionin politik, për ta trazuar Iranin dhe për të tërhequr amerikanët e verbër në anën e vet. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Liga e Kampionëve
Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Azia
Ilnisa dhe Meritoni takohen pas shumë kohe - puthje, lot dhe emocione mes çiftit në Big Brother VIP Albania

Ilnisa dhe Meritoni takohen pas shumë kohe - puthje, lot dhe emocione mes çiftit në Big Brother VIP Albania

Magazina
Ancelotti tregohet i sinqertë për lojën që bëri Bayerni përballë Realit

Ancelotti tregohet i sinqertë për lojën që bëri Bayerni përballë Realit

Liga e Kampionëve
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Ancelotti tallet keq me Tuchelin pasi ky i fundit tha se Gnabry do shënojë ndaj Real Madridit

Ancelotti tallet keq me Tuchelin pasi ky i fundit tha se Gnabry do shënojë ndaj Real Madridit

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori