Vila e Quentin Tarantinos në Hollywood Hills dyshohet se ka qenë cak i një të panjohuri.

Sipas një raportimi të TMZ, në banesë ndodheshin persona të tjerë në momentin kur një i paautorizuar hyri brenda, të mërkurën.


Policia u njoftua për ngjarjen dhe mbërriti në adresë, megjithatë, sipas medias, i dyshuari ishte larguar para se forcat e rendit të mbërrinin në vendngjarje.

Ndërsa policia po heton rastin, ende nuk dihet nëse janë vjedhur sende me vlerë dhe nëse vetë regjisori i njohur, 63 vjeç, ndodhej në shtëpi në momentin e hyrjes së paautorizuar.

Ngjarja ndodhi gati tetë vite pasi Tarantino thuhet se kishte trembur dy hajdutë, të cilët po largoheshin nga shtëpia e tij në Los Angeles pasi kishin marrë me vete “bizhuteri dhe sende të tjera”.

Në atë rast, dy persona kishin hyrë në banesë përmes një dritareje të pasme.

Më herët, në nëntor të vitit 2015, regjisori i “Pulp Fiction” telefonoi Departamentin e Policisë së Los Angelesit pasi kishte zbuluar një person duke lëvizur në oborrin e shtëpisë së tij.

Policia mbërriti në vendngjarje brenda pak minutash dhe personi u largua pasi u mor në pyetje nga efektivët.

Në fillim të këtij viti, Tarantino u rikthye në vëmendjen e publikut pasi kritikoi ashpër Hollywood-in, duke e cilësuar atë si një “fabrikë sallamesh pa shije”.

Fituesi i dy çmimeve Oscar ndau mendimet e tij në një ese të fortë të publikuar në revistën “Sight & Sound”, ku kritikoi tendencën për t’iu përshtatur vazhdimisht kërkesave të publikut, si dhe përzgjedhjen e papërshtatshme të aktorëve në filmat e fundit.

Regjisori shkroi se në ditët e sotme e ka “pothuajse të pamundur” të shikojë një film, por veçoi një produksion të vitit 2026 që arriti ta mbante të magjepsur nga fillimi deri në fund: filmin e Netflix “The Rip”, me Ben Affleck dhe Matt Damon.