Shala rrëfen historinë e grave të Dobërdolanit: Shitën stolitë dhe ngritën ambulancën e fshatit

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, Zef Shala, ka rrëfyer një histori të veçantë të organizimit dhe solidaritetit të grave në fshatin Dobërdolan të komunës së Suharekës.
Duke folur në “Përballje Podcast”, Shala tha se gratë e fshatit ishin organizuar në një periudhë të vështirë, kur burrat ishin të angazhuar me luftën dhe probleme të tjera, shkruan Telegrafi.
Sipas tij, gratë kishin vendosur të hiqnin dhe të shisnin stolitë e tyre, përfshirë lirat që mbanin tradicionalisht, ndërsa paratë e mbledhura i kishin përdorur për nevojat e komunitetit.
“Janë mbledhur gratë e fshatit. I kanë hequr lirat e tyre dhe i kanë shitur. Burrat merreshin me luftën dhe me probleme të tjera, ndërsa gratë e fshatit u organizuan”, tha Shala.
Ai tha se me mjetet e siguruara nga shitja e stolive u bë e mundur ngritja e ambulancës së Shoqatës “Nëna Terezë”, si dhe e shtëpisë së kulturës së fshatit.
“Me ato mjete e kanë bërë ambulancën e Shoqatës ‘Nëna Terezë’ dhe shtëpinë e kulturës së fshatit. Ky është një element që unë nuk e kam parë në histori, është diçka e jashtëzakonshme”, tha Shala.
Shala e veçoi këtë rast si një shembull të rrallë të organizimit qytetar dhe të rolit që gratë morën përsipër në kohë lufte, duke kontribuar drejtpërdrejt në krijimin e kushteve për shërbime shëndetësore dhe nevoja të tjera të fshatit.
Ai shtoi se ky organizim kishte lënë gjurmë edhe pas luftës, duke theksuar se shtëpia e kulturës vazhdoi të ekzistojë si një kontribut i grave të Dobërdolanit./Telegrafi/.






































