Muzikanti amerikan Billy Joel ka zbuluar se i është nënshtruar një operacioni në tru pasi u diagnostikua vitin e kaluar me hidrocefali me presion normal (NPH), një gjendje e rrallë mjekësore që mund të ndikojë në ekuilibrin, ecjen dhe kujtesën.

Muzikanti shtatëdhjetë e shtatë vjeçar tha se aktualisht po shërohet dhe se vuri re një përmirësim në shëndetin e tij pas operacionit.


"Nuk do të shkoj askund. Jam këtu. Jam ende këtu", tha Joel gjatë një programi në The Billy Joel Channel të SiriusXM.

Joel shpjegoi se fillimisht i vuri re simptomat nëpërmjet problemeve me ekuilibrin.

"Vura re se ekuilibri im nuk ishte i mirë. Ndihesha sikur isha në një varkë, sikur po lëkundesha. Nuk isha i qëndrueshëm në këmbë", kujtoi ai.

Pas kësaj, ai shkoi te një neurolog, i cili i rekomandoi ndërhyrje kirurgjikale.

"Thashë, 'Epo, çfarë nënkupton kjo?' Nuk doja. Por pastaj mësova për këtë dhe kuptova se mund të më ndihmonte të përmirësoja ekuilibrin dhe kujtesën time", kujtoi Joel, duke shtuar se fillimisht nuk donte t'i nënshtrohej operacionit.

Pastaj Joeli vendosi të binte dakord për instalimin e një shunt-i, një pajisje mjekësore që kullon lëngun e tepërt cerebrospinal.

"E dini, nuk dua të humbas mendjen. Është e vështirë të dallosh se çfarë është për shkak të moshës dhe çfarë për shkak të kësaj gjendjeje, kështu që pranova të bëja një shunt. Bëra një operacion dhe më vendosën një shunt në tru, dhe në fakt kjo i përmirësoi gjërat", tha ai.

Fituesi i çmimit Grammy tha se pas operacionit, vuri re një përmirësim në kujtesën, ekuilibrin dhe aftësinë e përgjithshme për të funksionuar.

Megjithatë, rikuperimi ndikoi edhe në karrierën e tij. Mjekët e këshilluan të ndërpriste performancat pasi arritën në përfundimin se muzika e lartë rock gjatë koncerteve mund ta dëmtonte më tej.

"Mjekët më thanë këtë për shkak të punës sime, sepse luaj muzikë rock'n-roll shumë me zë të lartë, dhe më shkaktonte diçka si tronditje të trurit sa herë që jepja koncert", tha Joel.

"Më shkaktoi dëme në nervat e trurit dhe sa më shumë që performoja, mund të humbisja gjithnjë e më shumë qeliza të trurit", shtoi ai.

Prandaj, Joel vendosi të tërhiqej përkohësisht nga performanca dhe t'i përkushtohej rikuperimit.

"E kuptova që kjo do të thoshte se nuk duhej ta bëja këtë tani. Duhet të shërohem", tha ai.

Muzikanti shtoi se do të shkojë në fizioterapi dhe se i ndjek me përpikëri këshillat e mjekut.

«Bëj çfarë të më thonë sepse nuk dua ta humbas atë, e kupton?”, tha Joel.