LAJMI I FUNDIT:

Pandemia COVID-19 zbret eksportet gjermane në nivele historike

Pandemia COVID-19 zbret eksportet gjermane në nivele historike

Kriza e COVID-19 gjatë muajit prill e ka goditur ekonominë gjermane me tërë fuqinë.

Rënie për shkak të epidemisë ka filluar në muajin mars, por prilli ishte muaji kur kjo ekonomi ka përjetuar një rënie historike, për shkak të mbylljes së kufijve, kufizimeve në udhëtime dhe pengesave në transportin tokësor, ujor dhe ajror. Si pasojë, eksporti gjerman në muajin prill ka shënuar një rënie në krahasim me një vit më parë prej 31.1 për qind.


“Volumi i tregtisë së jashtme ka qenë vetëm 75.7 miliardë euro”, njofton Enti i Statistikave në Wiesbaden.

Ishte kjo rënia më e madhe e eksportit gjerman gjatë një muaji që prej fillimit të matjeve statistikore në vitin 1950. Krahasuar me muajin mars të vitit 2020, eksportet në muajin prill kanë rënë për 24 për qind.

Eksportet gjermane kanë rënë varësisht nga tregu dhe vendet e botës. Eksportet në Kinë kanë rënë në muajin prill më pak se në rajonet tjera, me një minus prej 12.6 për qind. COVID-19 është paraqitur për herë të parë në Kinë. Por në muajin mars ai është përhapur me tërë fuqinë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Këtë e tregon edhe bilanci i eksporteve. Më së shumti është prekur eksporti në Francë me një minus prej 48.3 për qind, pastaj në Itali minus 40.1 për qind dhe Shtetet e Bashkuara minus 35.8 për qind, në krahasim me një vit më parë.

Shumë ekonomistë kanë llogaritur me një rënie të madhe të eksportit gjerman, pas rënies në mars prej 11.7 për qind. Por rënia në muajin prill ka qenë edhe për ta më e madhe sesa që është menduar. Eksporti gjerman ka rënë në tre muajt e fundit në mënyrë konstante. Ndaj ekspertët janë kureshtarë të shohin se si do të zhvillohen gjërat deri në fund të vitit.

Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë në Gjermani llogaritë se në vitin 2020 mund të ketë një rënie të eksporteve prej të paktën 15 për qind. Edhe Shoqata Federale e Industrisë pret një minus prej rreth 15 për qind të eksporteve. Ekspertët thonë se nga bumi i 10 viteve të fundit në eksport ka mbetur pak. Por pas lehtësimeve të fundit të masave mbrojtëse, në Gjermani ka filluar të përmirësohet gjendja. /Deutsche Welle/