ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka lansuar platformën Open Data, një mekanizëm i ri që synon të rrisë transparencën institucionale dhe të lehtësojë qasjen e publikut në të dhëna me interes publik.

Lansimi i platformës u bë gjatë konferencës me temën “Transparenca e të Dhënave – Themeli i Demokracisë dhe Vlerësimeve të Pavarura”, e organizuar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të themelimit të APK-së.


Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se transparenca dhe qasja e qytetarëve në të dhëna publike janë ndër shtyllat kryesore për forcimin e integritetit institucional dhe rritjen e besimit ndaj institucioneve publike.

Sipas tij, gjatë dy dekadave të funksionimit, Agjencia ka kaluar nëpër sfida të shumta, por ka shënuar edhe arritje të rëndësishme në ndërtimin e strukturave institucionale, zhvillimin e legjislacionit dhe krijimin e kapaciteteve profesionale.

“Gjatë këtyre 20 viteve agjencia ka numëruar, përveç sfidave që ka pasur që nga dita e parë, edhe suksese të shumta. Sukseset fillojnë që nga krijimi i strukturës së agjencisë, rekrutimi i stafit adekuat dhe trajnimi i tyre, si dhe krijimi i legjislacionit bazë për funksionimin dhe procedurat e punës”, deklaroi Buleshkaj.

Ai vlerësoi se platforma Open Data përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të rritjes së transparencës dhe krijimit të mundësive më të mëdha për analizë, hulumtim dhe monitorim nga qytetarët, mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe komuniteti akademik.

Platforma e re ofron qasje më të lehtë në regjistra dhe të dhëna që lidhen me mandatin e Agjencisë, duke kontribuar në forcimin e llogaridhënies dhe promovimin e parimeve të qeverisjes së hapur.

Funksionimin praktik të platformës e prezantoi udhëheqësi i Divizionit për E-Shërbime dhe Sisteme në APK, Besnik Dragusha, i cili shpjegoi mënyrën e përdorimit dhe mundësitë që ofron ky sistem.

“Platforma Open Data është zhvilluar me teknologjinë më të fundit të Microsoft-it, .NET Core, ndërsa baza e të dhënave është e integruar me teknologjinë SQL Server”, tha Dragusha.

Pas ceremonisë së lansimit u zhvillua një panel diskutimi me temën “Transparenca e të Dhënave – Themeli i Demokracisë dhe Vlerësimeve të Pavarura”, ku u trajtua rëndësia e të dhënave të hapura në rritjen e transparencës, fuqizimin e llogaridhënies publike dhe hartimin e politikave të bazuara në evidencë.

Në panel morën pjesë përfaqësues nga organizatat dhe institucionet relevante, përfshirë Mimoza Karameta nga OGP Kosova, Diana Metushi Krasniqi nga KDI/Transparency International Kosova, Visar Rushiti nga Democracy Plus dhe Milot Shala nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të “Javës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit”, e cila po zhvillohet me rastin e 20-vjetorit të themelimit të institucionit, nën moton “20 Vjet Transparencë dhe Integritet – Duke Rritur Besimin, Duke Parandaluar Korrupsionin”.

APK ka bërë të ditur se do të vazhdojë zhvillimin e mekanizmave që synojnë forcimin e transparencës, integritetit institucional dhe besimit të qytetarëve, në përputhje me standardet e qeverisjes së mirë dhe interesin publik. /Telegrafi/