Vrasja e influenceres gjatë transmetimit live, arrestohet pjesëtari i kartelit meksikan

Një anëtar i një karteli meksikan është arrestuar nën dyshimin se ka urdhëruar vrasje të veçanta ndaj një ‘influencere’ 23-vjeçare dhe një ish-kryetari komune, raportojnë mediat ndërkombëtare, transmeton KosovaPress.
Ramon Angel Alvarez Ayala, pjesëtar i Kartelit Jalisco New Generation, u arrestua nga autoritetet meksikane më shumë se një vit pasi Valeria Marquez u qëllua për vdekje teksa po transmetonte drejtpërdrejt nga salloni i saj i bukurisë në maj të vitit 2025.
Në një konferencë për media një ditë pas arrestimit të Alvarez Ayala-s, sekretari meksikan për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve, Omar Garcia Harfuch, e lidhi atë me vrasjen e influenceres, sipas gazetës meksikane Milenio.
Garcia Harfuch tha se anëtarët e grupit kriminal të Alvarez Ayala-s vepruan me urdhër të tij për ta vrarë Marquezin.
Vajza kishte qenë më parë në lidhje me djalin e Alvarez Ayala-s, Francisco, sipas raportimeve.
Garcia Harfuch pretendoi se Francisco kishte pasur një “marrëdhënie romantike” me Marquezin dhe tha se ai “e kishte kërcënuar në disa raste”.
Francisco është i dyshuari kryesor në këtë rast.









































