Rasti i konfiskimit të pronës 34-milionëshe në Matiçan, dëgjohet ekspertja e forenzikës


Në Gjykatën në Prishtinës në gjykimin për legalizim të përmbajtjes së rreme të hënën, më 13.07.2026, në cilësi të dëshmitares është dëgjuar ekspertja Nadire Ibrahimi, e cila ka deklaruar se është pjesë e grupit të ekspertëve që kanë hartuar ekspertizën në këtë rast.
Ibrahimi ka thënë se është e punësuar në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë dhe dha sqarime para Gjykatës lidhur me ekspertizat të cilat hartohen në këtë Agjenci.
Fillimisht ekspertja ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë ekspertizës se hartuar dhe ka thënë se pas analizimit të nënshkrimeve dhe bazuar në pyetjet e prokurorisë në të cilat është kërkuar ekzaminimi i nënshkrimit, i vulës, i makinës së shkrimit si dhe vjetërsisë së vulave, pas përfundimit të ekspertizës me eksperten tjetër në këtë rast i kanë paraqitur konkluzionet e tyre lidhur me ekzaminimet e bëra, dhe se nga ky ekzaminim janë pajtuar me gjetjet e ekzaminura dhe të krahasuara.
Ekspertja ka thënë se Prokuroria ka sjellë për ekzaminim materialin dhe gjithsej kanë qenë 5 dokumente. Sipas saj, dëshmia D1 është aktvendimi i datës 07.06.1970 dhe në atë dokument ka qenë nënshkrimi, vula dhe teknika e makinës së shkrimit të cilat sipas ekspertes janë ekzaminuar dhe janë krahasuar me nënshkrimet vulat dhe teknikën e shkrimit të shkruara me makinë shkrimi të cilat kanë qenë në dokumente të evidentuara si dëshmia D2, D3, D4 dhe D5.
Ekspertja ka thënë se bazuar në ekzaminimin dhe krahasimin mes nënshkrimeve D2 deri D5 janë identifikuar karakteristika të përgjithshme dhe individuale të cilat janë nga shkruesi i njëjtë.
Sipas ekspertes, dëshmia D1 është krahasuar me dëshminë D2, D3 dhe D4 dhe rezulton se nuk është shkruar me të njëjtën makinë, ndërsa dëshmia D1 dhe D5 nga ekzaminimet rezulton se është e shkruar nga e njëjta makinë e shkrimit.
Tutje, ekspertja ka thënë se grupi i ekspertëve i është përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë, dhe nuk është e nevojshme të bëhet një ekspertizë e re, por nëse Prokuroria dhe Gjykata e shohin të arsyeshme mund të bëhet kërkesë për plotësim.
Ekspertja ka deklaruar se në rastin konkret mostrat e marra për ekzaminim kanë qenë të lira.
Më tej ekspertja ka thënë se një person asnjëherë nuk mund të nënshkruajë identik një nënshkrim dy herë, si dhe po ashtu sipas ekspertes, dy persona asnjëherë nuk mund të nënshkruajnë njësoj si dhe një person nuk mund t’i tejkalojë aftësitë e tij.
E pyetur nga Gjykata nëse dokumenti është i falsifikuar, ekspertja tha se nga ekspertët është bërë krahasimi se çka është kërkuar, ndërsa për këtë çështje vendos Gjykata.
Në fund, pas përfundimit të dëshmisë së ekspertes, trupi gjykues njoftoi se për seancën e radhës Gjykata do t’i njoftojë të gjitha palët.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga gjyqtarët: Kujtim Krasniqi (kryetar), Leon Përlaska dhe Rrahman Beqiri (anëtarë).
Ndërsa aktakuza në këtë rast përfaqësohet nga prokurori special Naim Abazi.
DOSJA E PROKURORISË SPECIALE
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të datës 17.07.2025 thuhet se i pandehuri B.V. (i ndjerë) nga data 20.05.2022 e deri më 28.12.2022, ka paraqitur në mënyrë të qëllimshme dokumentin me përmbajtje të rreme – aktvendimin e datës 07.05.1970 i pretenduar si i formës së prerë më 16.06.1970 dhe i supozuar se ishte lëshuar nga Komisoni për Shqyrtimin e Marrëdhënieve Pronësore të krijuara nga uzurpimi në pronësi shoqërore për të regjistruar pronën e paluajtshme, e cila ishte evidentuar në pronësi të Komunës së Prishtinës.
Sipas aktakuzës së PSRK-së, kjo pronë ishte në Matiçan në sipërfaqe prej 131888m2 në emrin e të akuzuarit në regjistrin kadastral të Komunës së Prishtinës, ku pas refuzimit nga Drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës për herë të dytë të regjistrimit të saj, i pandehuri duke parashtruar ankesë më 20.12.2022 në organin e shkallës së dytë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) e ka vënë në lajthim e cila e ka konsideruar aktvendimin e datës 07.05.1970 si dokument të vërtetë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se AKK, ka nxjerrë vendim me të cilin e ka urdhëruar Drejtorinë e Kadastrit të bëjë regjistrimin e palujtshmërisë në emër të të akuzuarit.
Me këto veprime B.V. (tani i ndjerë) po akuzohet se ka kryer veprën penale – legalizimi i përmbajtjes së rreme.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se i pandehuri B.V. ka ndërruar jetë gjatë fazës së hetimeve, mirëpo prokurori i çështjes ka paraqitur në Gjykatën e Prishtinës propozim per vazhdimin e procedurës penale dhe procedurës për konfiskimin e përfitimeve materiale nga vepra penale e kryer nga i pandehuri B.V., konform nenit 20 të Ligjit për Kompentecat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë (LKZKP), meqë vlera e pasurisë që është objekt i konfiskimit të zgjeruar e kalon shumën prej 10,000 euro, ku vlera e pronës në rastin konkret është 34,490.400 euro, si dhe ky rast është në interes të drejtësisë sepse objekt i kësaj çështjeje penale është tjetërsimi i pronës së Komunës së Prishtinës.
Procedura penale në këtë çështje penale po zhvillohet në bazë të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara, nenit 20, dhe e njëjta po trajtohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, raporton Kallxo.




































