ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Kanë kaluar gati dhjetë vjet që nga dorëzimi i kallëzimit penal të Shoqatës kundër Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në janar të vitit 2017.

Kështu thuhet përmes një njoftimi për media nga Shoqata e Qumështarëve të Kosovës, ku ndër të tjera thuhet se përmes këtij kallëzimi u paraqitën dokumente dhe prova, të cilat sipas shoqatës dëshmonin përdorimin e vajit të palmës në produkte të qumështit dhe mashtrimin e konsumatorëve.


“Më 20 tetor 2020, para Komisionit Parlamentar për Bujqësi, prezantuam fakte dhe dokumente që, sipas vlerësimit tonë, dëshmonin dëmtimin e konsumatorëve, fermerëve dhe industrisë vendore të qumështit. Gjatë gjithë kësaj periudhe nuk kemi heshtur asnjëherë. Kemi organizuar dhjetëra protesta para Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kemi mbajtur qindra konferenca dhe deklarata për media. Kemi diskutuar me të gjitha partitë politike, ministritë përgjegjëse dhe institucionet shtetërore. Qëllimi ynë ka qenë vetëm një: mbrojtja e konsumatorit, fermerit dhe prodhimit vendor. Fatkeqësisht, pas gjithë këtyre viteve, mbetet bindja jonë se: Konsumatori nuk u mbrojt. Fermeri nuk u mbrojt”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në njoftim investimet publike dhe private në sektorin e qumështit nuk u mbrojtën.

“Miliona kilogramë vaj palme dhe produkte që përmbanin vaj palme janë importuar ose prodhuar në Kosovë dhe janë konsumuar nga qytetarët. Ështe plotësisht e qartë se konsumatorët nuk janë informuar për natyrën reale të këtyre produkteve”.

Tutje në njoftim thuhet se nëse këto pretendime rezultojnë të sakta, “atëherë kemi të bëjmë me një dështim serioz institucional”.

“Shumë studime shkencore kanë treguar se yndyrat trans industriale, të krijuara kryesisht nga vajrat pjesërisht të hidrogjenizuara, lidhen me rritjen e rrezikut për sëmundje të rënda kardiovaskulare dhe probleme të tjera serioze shëndetësore. Pikërisht për këtë arsye, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa të rrepta kufizuese ndaj përdorimit të këtyre yndyrave”.

Siç bëhet e ditur në njoftim rregullorja (BE) 2019/649 kufizon përmbajtjen e yndyrave trans industriale në maksimum 2 gramë për 100 gramë yndyrë, duke bërë që përdorimi i vajrave pjesërisht të hidrogjenizuara praktikisht të zhduket nga tregu evropian.

“Po ashtu, legjislacioni i Bashkimit Evropian nuk lejon që produktet ku yndyra e qumështit zëvendësohet me yndyrë bimore të tregtohen si produkte qumështi. Në Kosovë, këto pretendime është dashur të hetoheshin me seriozitet. AUV ka pasur kompetenca ligjore për të vepruar. Prokuroria e Shtetit ka pasur detyrim të shqyrtonte kallëzimet dhe provat e dorëzuara. Dogana e Kosovës ka pasur rol në kontrollin e produkteve që hynin në treg”.

Prandaj, siç thuhet në njoftim: “Sot i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse të Republikës së Kosovës që të iniciojnë një hetim të plotë, të pavarur dhe transparent. Asnjë zyrtar nuk duhet të jetë mbi ligjin. Nëse gjatë hetimit konstatohet se ka pasur shkelje të ligjit, përgjegjësit duhet të japin llogari para drejtësisë, pavarësisht funksionit që kanë ushtruar. Në këtë kuadër, vlerësojmë se duhet të shqyrtohet edhe përgjegjësia institucionale e ish-Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe e ish-Kryeshefit të AUV-së, Valdet Gjinovci, në raport me kompetencat që kanë ushtruar gjatë mandatit të tyre”.

“Njëkohësisht, shprehim respekt për gjykatat e Republikës së Kosovës, të cilat kanë mbrojtur të drejtën e fjalës së lirë dhe interesin publik. Shoqata nuk do të ndalet. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë zbatimin e ligjit, mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e fermerit dhe transparencë të plotë deri në zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje. Shëndeti i qytetarëve nuk negociohet. Drejtësia nuk duhet të vonohet”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/