ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Spanja siguroi një vend në finalen e Kupës së Botës 2026 pasi mposhti Francën me rezultat 2-0 në gjysmëfinalen e zhvilluar në Dallas. Festa vazhdoi edhe në dhomën e zhveshjes, ku një moment i publikuar nga Federata Spanjolle e Futbollit u bë menjëherë viral në rrjetet sociale.

Në videon e publikuar, dëgjohet mesfushori Fabian Ruiz duke lavdëruar bashkëlojtarin Marc Cucurella, i cili zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në mbrojtje ndaj sulmuesit francez Michael Olise.


Sipas raportimeve të RMC Sport, Ruiz i drejtohet Cucurellas me fjalët: "E shkatërrove, nxirre nga xhepi yt", duke bërë shaka me faktin se mbrojtësi spanjoll e neutralizoi plotësisht yllin e Bayern Munich, i cili sipas vlerësimeve të Transfermarkt kap shifrën e 150 milionë eurove.


Franca kishte ardhur në këtë përballje me një repart ofensiv që konsiderohej ndër më të frikshmit e turneut, me emra si Kylian Mbappe, Michael Olise, Ousmane Dembele, Bradley Barcola dhe Desire Doue.

Megjithatë, ndaj Spanjës, sulmi francez mbeti në hije, ndërsa Olise ishte një nga lojtarët që hasi më së shumti vështirësi për shkak të markimit të Cucurellas.

Përveç talljes në dhomën e zhveshjes, Olise u bë objekt diskutimi edhe për një ndërhyrje të ashpër ndaj Rodrit në minutën e 14-të të ndeshjes. Edhe pse gjyqtari akordoi vetëm faull, ish-gjyqtari anglez dhe ish-kreu i PGMOL, Keith Hackett, vlerësoi se lojtari francez duhej të ishte përjashtuar.


Sipas Hackett, ndërhyrja e Olises me taka të ngritura në këmbën e Rodrit përbënte përdorim të forcës së tepruar dhe rrezikonte seriozisht sigurinë e kundërshtarit.

Në fund, Spanja jo vetëm që siguroi biletën për finalen e Kupës së Botës, por edhe tregoi superioritet të plotë ndaj Francës, si në fushë ashtu edhe në festën pas ndeshjes, ku batutat ndaj Olises nuk munguan. /Telegrafi/

telegrafi sport app