Ish-trajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli mori ‘timonin’ e Trepçës në javën 13 të këtij stinori. Në katër ndeshje të zhvilluara nën drejtimin e tij, Trepça nuk ka pësuar asnjë humbje, duke realizuar një fitore dhe tri barazime. 11 gola ka shënuar kjo skuadër, kurse ka pësuar 19 dhe bilanci është në minus tetë. ‘Xehetarët’ gjenden në pozitën e parafundit në renditje me 15 pikë të grumbulluara.

Shosholli i kënaqur


Trajneri mitrovicas, Ajet Shosholli, është shprehur i kënaqur me rezultatet e arritura në katër ndeshjet që ka drejtuar ‘Xehetarët’. Ai për këtë lavdëroi futbollistët e tij.

“Mendoj që për këto katër ndeshje, ekipi ka treguar një dëshirë dhe një angazhim maksimal për fitore”, u shpreh fillimisht Shosholli për ‘Sport Plus’. Në vijim ai shtoi se po të kishin më shumë fat do të kishin rezultate edhe më të mira.

“Mendoj që me një përqendrim më të madh dhe koncentrim dhe fat kemi mundur të kemi edhe dy pikë më shumë. Mirëpo, si do që të jetë, jam i kënaqur edhe më këtë bilanc. Nuk besoj që jemi larg, skuadrat prej vendit të shtatë e më poshtë do të luftojmë për ekzistencë. Nuk është diferenca e madhe në cilësi te këto ekipe, prandaj mendoj që në pranverë mund t’ia dalim t’i ikim kësaj pozite”, shtoi trajneri mitrovicas.

Krejtësisht në fund, ai tha se do të ulen së bashku me kryesinë e klubit për të shqyrtuar mundësinë për të transferuar disa futbollistë. “Shumë shpejtë do të ulemi me kryesinë e klubit dhe do të analizojmë kampionatin, por edhe do të diskutojmë për përforcime. Unë do t’ia propozoj kryesisë së klubit repartet në të cilat kemi nevojë përforcime dhe mendoj që pastaj mund të dalim edhe me emra konkretë, kemi nevojë për 4-5 futbollistë”, përfundoi Shosholli. Trajneri mitrovicas më herët ka drejtuar edhe Vëllaznimin. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app