LAJMI I FUNDIT:

‘Nuk rri dot me të, nuk rri dot pa të’

‘Nuk rri dot me të, nuk rri dot pa të’

Imazhi për veten tek adoleshentët; sa intimë dhe të hapur janë. Si e përjetojnë botën e brendshme shpirtërore në kaosin e jetës së përditshme dhe çmendurisë së moshës që ata jetojnë?

Blerta Mrishaj

Tashmë zgjedhjet individuale janë bërë kolektive, adoleshentët vendosin të bëjnë një zgjedhje, sepse ajo është e modës dhe e bëjnë të gjithë. Individi dhe dëshirat e tij gjenden përballë një udhëkryqi dhe dilemave të pafundme. Hezitimi si ndjesi e shoqëron adoleshenten vetëm për pak kohë. Kureshtja për të zbuluar të mistershmen mbërthen nën ethet e veta, duke e bërë atë pjesë të palogjikshmes dhe humbjes së vetvetes.
Si e përjetojnë adoleshentët botën e brendshme shpirtërore në kaosin e jetës së përditshme dhe çmendurisë së moshës që ata jetojnë?


Kush prej nesh nuk ka qenë ndonjëherë në një fazë dilemash, ka kërkuar një shpjegim, një përgjigje. Mes një morie pyetjesh dhe idesh që vërshojnë në kokë, kemi gjetur si zgjidhje alternativë, njerëz si ne. Në naivitetin tonë kemi justifikuar zgjedhjen e bërë me postulatin se edhe shoqja ime po të ishte në vendin tim kështu do të kishte vepruar. Një tjetër zgjidhje do të ishte: kur e bëjnë të gjithë, pse të mos e bëjë edhe unë. Atëherë duket se gjithë ajo mjegull që kishte kapluar mendjen dhe trurin tonë, venitet duke pasqyruar atë pjesë të vetvetes që as ne nuk e kishim njohur kurrë më parë. Tashmë zgjedhjet individuale janë bërë kolektive, adoleshentet vendosin të bëjnë një zgjedhje, sepse ajo është e modës dhe e bëjnë të gjithë.

Mëso të duash në fillim veten dhe pastaj të tjerët
Një postulat domethënës, por ama shumë i bukur për të qenë i vërtetë lidhur me gjininë femërore. Gjithmonë e më shumë po mbizotëron një paradoks i madh për sa i takon mënyrës së tërheqjes intime tek femrat. Nuk mund të mos harrohet edhe zhargoni i zakonshëm “mendjelehta”, të cilin vajzat e reja e mbajnë si të vulosur në ballë. Por cili është shkaktari kryesor i këtij paragjykimi?
Sociologët shprehen se dëshira e ethshme për t’u dashuruar dhe për të kryer marrëdhënie seksuale tek femrat bëhet një burim i madh konfliktesh. Karl Jungu, një nga nxënësit e parë dhe më të suksesshëm të Zigmund Frojdit, ka përpunuar një teori mjaft interesante si për intimitetin e meshkujve, edhe të femrave. Për këto të fundit ai identifikonte me termin e bukur animus imazhin që kanë femrat për përvojën intime të mashkullit, ndërsa anima për palën tjetër. Sipas tij, duket se femrat lindin me këtë imazh, që do të thotë se ato me kalimin e viteve e përsosin kërkesën e tyre për mashkullin ideal. Pra, krejt natyrshëm ashtu si dhe meshkujt ato përpiqen të bëjnë për vete djaloshin e zemrës.

Kohët e fundit në fjalorin e vajzave të reja, si rrjedhojë edhe e ndikimit të madh prej medieve, kanë zënë peshë të veçantë termat “ky është tipi im dhe ky nuk është tipi im”. Në momentin që sapo janë ulur në bankat e shkollës së mesme, vajzat mësojnë se si të shohin ngultas meshkujt që vërdallosen përreth, qofshin bashkëmoshatarë apo më të mëdhenj se ato”, -shprehet ai. Një ditë kur ato të rriten, do të fillojnë dilemat e para që do të thonë, “dua të lidhem me një djalë dhe nuk dua të lidhem me asnjë. Sipas psikologjisë bashkëkohore edhe për “maratonën” e gjatë të marrëdhënieve intime ekzistojnë disa etapa, të cilat siç lindin, ashtu shuhen. Prandaj këto vajza të reja njësoj si kur të rriten do të provojnë fazën e tërheqjes ndaj mashkullit që pëlqejnë, ku emocionet dhe rrahjet e zemrës do të jenë të mëdha. Më pas i vjen radha kënaqësisë dhe ato e ndiejnë veten si në qiellin e shtatë përkrah partnerëve të tyre.

Sociologët shpjegojnë se pritshmëritë e mëdha me të cilat vajzat ushqejnë pambarimisht veten për marrëdhënien me djalin e preferuar, zënë gamën më të gjerë të përqendrimit. Shumë shpejt kalohet në atë që quhet pragu apo riorientimi i marrëdhënies, ku nis kërkesa e llogarisë dhe dyshimi për tradhti bëhet gjithmonë e më i madh. Kur duhet vetëm një hap nga ndarja vjen pikërisht momenti më i vështirë për t’u përballuar sidomos nga vajzat, të cilat zor se duan t’i thonë jo marrëdhënies së tyre. Kur është hera e parë për ato dhe mbi të gjitha kanë kryer marrëdhënie seksuale, gjërat ngatërrohen më shumë. Ky është çasti i dilemës së madhe që fillojnë të ndiejnë vajzat adoleshente, ndjesi kjo e cila duket se nuk do t’u ndahet atyre për sa kohë do të jenë të lidhura në intimitet me meshkujt. Pra, ato fillojnë dhe rrahin tëmthat e kokës me duar, duke thënë me zë të ulët apo të lartë: O Zot, nuk rri dot me të, por nuk rri dot pa të.

E çuditshme, por ama e vërtetë, sepse në përgjithësi edhe femrat në një moshë të pjekur që pretendojnë se kanë ndërtuar një marrëdhënie të përsosur, nuk do t’i shmangeshin dot kësaj dileme të prekshme psikologjike. Ndër paradokset e mëdha që do të mbeten gjithmonë ngurrimi tipik i femrave, jo vetëm adoleshente, për të marrë vendim lidhur me marrëdhënien që do të krijojnë. Thuhet paradoks sepse nga njëra anë dëshira për të pasur një lidhje intime, ashtu si të gjitha shoqet e tyre, është gati dhjetëfish më e madhe në krahasim me meshkujt, por marrja e vendimit jo gjithmonë do të ishte e shpejtë. Më mirë preferohet t’i lihet spontanitetit, i cili mendohet nga ato si faktor kryesor për t’u lidhur me një mashkull. Është spontaniteti që do të vendosë sigurisht për pamjen e jashtme të pretendentit fatlum, i cili si një i dehur nga pasioni do të rrëshqasë në krahët e bukuroshes së tij. Jo përherë mbizotëron ngurrimi, sepse kohët e fundit të gjithë thonë se vajzat e sotme janë bërë shumë harbute, gjë të cilën e tregojnë edhe duke u sharë pisët ashtu si meshkujt.

Mirëpo studimet e shumta të nivelit psiko-social shpesh e vënë theksin në ankthin e madh që përjetohet prej vajzave adoleshente në ngurrimin për të krijuar marrëdhënie intime dhe në dilemën e ndarjes. Me fjalë të tjera, ajo që do të ishte me vlerë për t’u bërë prej tyre në të tilla raste, do të ishte përforcimi i ndjenjës së pranimit dhe besimit reciprok. Të dyja janë nevoja idealiste për t’u përmbushur me sukses, por sidoqoftë, terapia më efektive për funksionimin normal të një marrëdhënieje intime do të ishte pikërisht dashuria e madhe për veten dhe më pas falja e saj kujt ta meritoj. Kjo vlen pavarësisht nga ajo se ç’mund të thonë të tjerët, fjala e të cilëve zë gjithmonë peshë të madhe në mendjet e vajzave të reja. Ky mund të rezultojë krimi më i rëndë, sepse rrezikon t’ju bëjë të humbisni intimitetin e vërtetë, pa tensionin e kotë mendor dhe ankth të vazhdueshëm. Të vonohesh në intimitet nuk do të thotë dështim dhe prandaj vendosni aq sa shpejt të mundeni pa lënduar as veten apo tjetrin që shpreson t’ju qëndrojë pranë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori