Nuk janë në planet e Kompany, Bayern Munichu ia tregon ‘derën’ tre yjeve

Bayern Munich mund të largojë tre futbollistë gjatë kësaj vere, por e ardhmja e Joao Palhinhas, Sacha Boey dhe Bryan Zaragozas mbetet ende e paqartë.
Sipas raportimeve, Palhinha ka refuzuar oferta të majme nga klubet e Arabisë Saudite dhe Turqisë, pasi dëshiron të rikthehet në Portugali.
Mesfushori preferon një transferim te Benfica ose Sportingu, megjithëse asnjëri prej këtyre klubeve nuk është aktualisht në gjendje të përmbushë kërkesat financiare të Bayernit. Ndërkohë, Aston Villa po shqyrton mundësinë e një huazimi me opsion blerjeje.

Në anën tjetër, Sacha Boey ka zgjuar interesimin e disa klubeve të mesit të tabelës në Ligën Premier. Bayern vlerëson mbrojtësin e djathtë francez me rreth 15 milionë euro.
Sa i përket Bryan Zaragozas, sulmuesi anësor spanjoll dëshiron të rikthehet në La Liga. Espanyoli dhe Sevilla po e monitorojnë situatën e tij, por ende nuk ka negociata konkrete, pasi paga e tij prej rreth katër milionë eurosh në vit konsiderohet një pengesë.
Pavarësisht interesimit për të tre futbollistët, asnjëri nuk duket pranë largimit nga Bayerni për momentin, pasi bisedimet me klubet e interesuara nuk kanë arritur ende në një fazë të avancuar./Telegrafi/









































