Harry Kane merr vendimin për të ardhmen te Bayern Munichu

Harry Kane pritet të vazhdojë aventurën e tij te Bayern Munichu, me sulmuesin anglez që është pranë nënshkrimit të një kontrate të re me gjigantin bavarez.
Marrëveshja e re pritet të jetë gati për t’u firmosur në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit, pasi Kane ka vendosur të qëndrojë në “Allianz Arena” dhe të vazhdojë karrierën e tij në Bundesligë.
Sipas raportimeve, 33-vjeçari beson se Bayerni ka mundësi reale për të luftuar për trofeun e Ligës së Kampionëve këtë sezon, veçanërisht nën drejtimin e trajnerit Vincent Kompany.

Ambicia për të synuar suksesin në Evropë raportohet të ketë qenë një nga faktorët kryesorë në vendimin e Kane për të qëndruar në Mynih.
Kane iu bashkua Bayern Munichut nga Tottenham Hotspuri në verën e vitit 2023 dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

Sulmuesi anglez ka vijuar të shkëlqejë para portës edhe në futbollin gjerman, duke konfirmuar edhe një herë reputacionin e tij si një prej golashënuesve më të mirë në Evropë.
Me kontratën e re, Bayerni synon të sigurojë shërbimet e Kane për një periudhë më të gjatë, teksa klubi bavarez kërkon të rikthehet fuqishëm në garën për trofeun e Bundesligës dhe të bëjë hapin e madh drejt suksesit evropian nën drejtimin e Kompany. /Telegrafi/














































