“Nuk është e lehtë” – Futbollistët iranianë tregojnë si po e përjetojnë luftën para Kupës së Botës

Përfaqësuesja e Iranit po përgatitet për Kupën e Botës 2026 në rrethana të jashtëzakonshme, teksa vendi vazhdon të përballet me pasojat e luftës dhe tensioneve në rajon.
Futbollistët iranianë pranojnë se situata po ndikon në aspektin psikologjik, por theksojnë se mbeten të fokusuar te objektivat sportive.
Mesfushori Saeid Ezatolahi, i cili do të luajë në Botërorin e tretë të karrierës së tij, e pranoi se për lojtarët nuk është e lehtë të qëndrojnë të përqendruar.

“Për të qenë i sinqertë, nuk është e lehtë. Për mua dhe disa nga lojtarët më me përvojë ndoshta është pak më e thjeshtë ta menaxhojmë këtë situatë, por në fund të ditës është e vështirë. Ne po ndjekim vazhdimisht lajmet nga vendi ynë dhe zhvillimet politike, gjëra që natyrisht ndikojnë në mendjen e lojtarëve dhe të njerëzve”, u shpreh ai.
Kombëtarja iraniane ka zhvilluar përgatitjet në Turqi gjatë javëve të fundit, ndërsa së shpejti do të zhvendoset në Meksikë, ku do të ketë bazën e saj gjatë Kupës së Botës.
Planet fillestare për qëndrim në Arizona u ndryshuan për shkak të vështirësive me procedurat e vizave.
Ezatolahi pret mbështetje të madhe nga tifozët iranianë në ndeshjet që do të zhvillohen pranë Los Angelesit.
“Presim të kemi shumë tifozë në stadiume dhe kjo sigurisht sjell edhe presion. Pritshmëritë do të jenë të larta, por ne duam t’i bëjmë krenarë. Duam t’u tregojmë të gjithëve se iranianët janë të gatshëm të përballen me çdo sfidë dhe të japin maksimumin në çdo situatë”, deklaroi mesfushori 29-vjeçar.
Ndërkohë, Mohammad Ghorbani, i cili do të marrë pjesë për herë të parë në një Kupë Bote, tha se futbollistët janë të vetëdijshëm për situatën e vështirë që po kalon populli iranian.

“Po kalojmë rrethana të veçanta, por ne jemi futbollistë profesionistë dhe duhet të vazhdojmë të stërvitemi e të përgatitemi për garat që na presin. Në të njëjtën kohë, e dimë se populli ynë ka kaluar shumë vështirësi gjatë kësaj periudhe dhe ne duam të arrijmë rezultatet më të mira për t’u dhënë atyre një arsye për gëzim”, tha ai.
Pavarësisht sfidave jashtë fushës, futbollistët iranianë insistojnë se do të japin maksimumin në turne.
Ezatolahi nënvizoi se detyra e skuadrës është të përfaqësojë vendin në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Po kalojmë rrethana të veçanta, por ne jemi futbollistë profesionistë dhe duhet të vazhdojmë të stërvitemi e të përgatitemi për garat që na presin. Në të njëjtën kohë, e dimë se populli ynë ka kaluar shumë vështirësi gjatë kësaj periudhe dhe ne duam të arrijmë rezultatet më të mira për t’u dhënë atyre një arsye për gëzim”, tha ai.
Irani bën pjesë në Grupin G së bashku me Zelandën e Re, Belgjikën dhe Egjiptin.
Ndeshjen e parë do ta luajë më 15 qershor kundër Zelandës së Re, ndërsa synon të sigurojë një vend në fazën me eliminim direkt të turneut. /Telegrafi/


































