Policia financiare italiane dhe autoritetet doganore kanë sekuestruar më shumë se 770 kilogramë kokainë në portin Vado Ligure, në Itali. Droga ishte fshehur në një ngarkesë me banane që kishte mbërritur nga Ekuadori.

Sipas autoriteteve italiane, gjatë kontrollit në një kontejner frigoriferik u gjetën rreth 650 paketime me lëndë narkotike. Analizat e para treguan se bëhej fjalë për kokainë me pastërti shumë të lartë.


Në një pjesë të pakove të drogës ishte vendosur flamuri i Serbisë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për personat apo grupet që mund të qëndrojnë pas këtij trafiku.

- YouTube www.youtube.com

Sipas policisë italiane, nëse droga do të kishte arritur në tregun ilegal, organizatat kriminale do të mund të përfitonin rreth 250 milionë euro.

Operacioni konsiderohet një nga sekuestrimet më të mëdha të viteve të fundit në portin Vado Ligure.

Autoritetet italiane thanë se aksioni ishte rezultat i kontrolleve të shtuara ndaj rrugëve tregtare që lidhin Amerikën e Jugut me Evropën, të cilat po përdoren gjithnjë e më shumë edhe për trafik të lëndëve narkotike. /Telegrafi/