Vetëm pak ditë pas finales së Kupës së Botës 2026, ku Spanja mposhti Argjentinën me rezultat 1:0 pas vazhdimeve, dy kombëtaret mund të kenë një tjetër përballje për trofe brenda këtij viti.

Sipas raportimeve të ESPN dhe gazetarit argjentinas Martín Arévalo, Spanja dhe Argjentina pritet të luajnë Finalissima, ndeshjen mes kampionit të Evropës dhe kampionit të Amerikës së Jugut.


Katari favorit për organizimin e ndeshjes

Raportohet se Katari ka siguruar të drejtën për të organizuar sfidën, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin Lusail, aty ku Argjentina fitoi Kupën e Botës 2022 ndaj Francës.

Ideja për organizimin e Finalissimës është rikthyer menjëherë pas finales së Botërorit, ndërsa UEFA dhe CONMEBOL duket se kanë rifilluar bisedimet për zhvillimin e saj.

Më herët, negociatat kishin ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi vendin organizator. Madridi dhe Londra ishin përmendur si kandidatë, ndërsa Katari nuk konsiderohej fillimisht për shkak të situatës gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

Mundësi për revansh të Argjentinës

Nëse marrëveshja finalizohet, Argjentina do të ketë mundësinë të kërkojë revansh ndaj Spanjës pikërisht në stadiumin ku katër vjet më parë ngriti trofeun e tretë të Kupës së Botës.

Sipas raportimeve, ndeshja mund të zhvillohet gjatë dritares zyrtare të FIFA-s, nga 9 deri më 17 nëntor, ndërsa detajet përfundimtare pritet të konfirmohen në javët e ardhshme.

Kalendari mbetet pengesa kryesore

Sfida më e madhe për zhvillimin e Finalissimas është kalendari ndërkombëtar. Spanja gjatë muajit nëntor ka të programuara dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, ndërsa Argjentina, e cila tashmë ka siguruar kualifikimin për Kupën e Botës 2030, ka në program vetëm ndeshje miqësore.

Nëse gjendet një datë e përshtatshme, tifozët e futbollit mund të shohin një tjetër duel mes dy kampionëve kontinentalë, vetëm katër muaj pas finales spektakolare të Kupës së Botës në New Jersey. /Telegrafi/

telegrafi sport app