eksperti-banner

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Adelina Thaçi - Meta, nuk ka arritur të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e qershorit.

Thaçi - Meta ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka falënderuar të gjithë qytetarët që e mbështetën dhe i besuan votën e tyre.


Ajo është shprehur mirënjohëse për 15,803 votat e marra, duke theksuar se mosarritja e një mandati nuk përbën humbje të idealeve dhe vlerave për të cilat ka punuar.

Sipas saj, mbështetja e marrë nga qytetarët mbetet një motivim i fortë për të vazhduar angazhimin publik dhe kontributin në të mirë të vendit.

Postimi i plotë i Adelinës (pa ndërhyrje):

"Të dashur miq, mbështetës dhe bashkudhëtarë,Nga zemra ju falënderoj secilin prej jush për besimin, mbështetjen dhe votën që ma dhatë.

Çdo votë për mua ka qenë më shumë se një numër, ka qenë përgjegjësi, respekt dhe motivim për të vazhduar rrugëtimin tim me përkushtim edhe më të madh.

Edhe pse këtë herë nuk arrita të jem pjesë e Kuvendit si deputete, ndihem krenare dhe mirënjohëse për mbështetjen e jashtëzakonshme që mora nga ju.

Humbja e një mandati nuk është humbje e idealit, e punës dhe e vlerave për të cilat kemi qëndruar bashkë.

Besoj se rrugëtimet e rëndësishme nuk maten vetëm me rezultatin e një dite, por me gjurmët që lëmë, me njerëzit që takojmë dhe me besimin që ndërtojmë ndër vite.

Do të vazhdoj të jem zëri juaj, të punoj me të njëjtin përkushtim dhe të kontribuoj aty ku mundem për të mirën e vendit tonë.

Faleminderit për çdo votë, çdo fjalë të mirë, çdo derë të hapur dhe çdo zemër që më besoi.

15,803 here, faleminderit!

Me respekt dhe mirënjohje të pafund". /Telegrafi/