LAJMI I FUNDIT:

Njerëzit në mënyrë masive shikojnë filma lidhur me epidemitë virusale

Një pjesë e madhe e botës është në izolim shtëpiak si pasojë e përhapjes së madhe të virusit COVID-19, pasi këtë e kanë kërkuar ekspertët dhe autoritetet në vendet e tyre.

Tashmë nuk po dihet se kur do të fillojë të dobësohet pandemia e coronavirusit, prandaj para nesh mund të jenë javë të tëra që do t’i kalojmë brenda katër mureve.


Në mënyrë që koha të kalojë më shpejt dhe në mënyrë më cilësore kur nuk kemi obligime, shumëkush zgjedh që krahas argëtimit, lojërave të ndryshme, leximit e kontrollimit në internet – të shikojë filma.

Shumëkush është duke i shfrytëzuar platformat e ndryshme për të bërë përzgjedhjen e filmave që i shikojnë, ndërsa shumë prej tyre zgjedhin të shikojnë filma në lidhje me epidemitë virusale apo katastrofat biologjike.

“Outbreak” (1995) me Dustin Hoffman, Morgan Freeman e Rene Russo në rolet kryesore, është filmi i tretë më i shikuar në Netflix në SHBA, njofton The Guardian.

"Contagion" VS Coronavirusi - Sa ka të bëjë me aktualitetin tonë filmi i famshëm që parashikoi virusin?
Lexo po ashtu "Contagion" VS Coronavirusi - Sa ka të bëjë me aktualitetin tonë filmi i famshëm që parashikoi virusin?

Krahas tij, trilleri “Contagion” (2011) me Gwyneth Paltrow, Matt Damon e Jude Law, është ndër filmat më të kërkuar në këtë periudhë. Ky film paraqet një pamje shumë reale të pasojave të një pandemie, ndërsa shkencëtarët e veçojnë si një prej realizimeve më të mira të këtij zhanri.

Ekspertët pohojnë se shikimi i këtyre filmave në kohën e pandemisë është një formë terapie duke u mësuar me rrezikun dhe duke u përgatitur për t’u përballur me ankthin, frikën dhe pasigurinë. /Telegrafi/