LAJMI I FUNDIT:

Një pikë kthese e rrezikshme në Lindjen e Mesme

Një pikë kthese e rrezikshme në Lindjen e Mesme
Ilustrim

Nga: Kolegjiumi i redaksisë i ditores The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Sulmi me raketa dhe dronë i Iranit kundër Izraelit, shënon një pikë kthese të rrezikshme në armiqësitë e shkaktuara nga sulmi i Hamasit më 7 tetor dhe nga ofensiva hakmarrëse e Izraelit në Gazë. Kjo ka vënë në pah luftën prej dekadash – në hije – midis republikës islame dhe shtetit hebraik, ndërsa e ka afruar Lindjen e Mesme gjithnjë e më pranë një konflikti të plotë rajonal i cili do të ketë pasoja shkatërrimtare për rajonin dhe më gjerë.


Teherani u fut në një lojë të pamatur me sulmin e parë të drejtpërdrejtë kundër Izraelit, nga toka iraniane, si hakmarrje për sulmin në kompleksin e tij konsullor në Damask – ku u vranë shtatë vetë të Gardës Revolucionare. Si Izraeli ashtu edhe Irani tani kërkojnë të përmbysin përmbajtjen përmes përshkallëzimit gjithnjë e më të rrezikshëm. Ata duhet të binden që të ndalojnë.

Rregullat e vjetra të Lindjes së Mesme janë përmbysur që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë 1 200 njerëz dhe 250 të tjerë u morën peng. Irani nuk ishte i përfshirë në sulmin e Hamasit, sipas ShBA-së, por, në muajt e fundit përfaqësuesit e tij në rajon kanë shkëmbyer zjarr me Izraelin. Tensionet kanë qenë të mëdha, por Irani dhe Izraeli kanë dashur të shmangin konfrontimin e drejtpërdrejtë.

Sulmi i Izraelit në kompleksin e Damaskut e çoi rrezikun në nivel të ri, me Iranin i cili vlerësonte se ai sulm është kundër sovranitetit të tij. Përgjigja e Teheranit ishte masive, duke përfshirë më shumë se 300 dronë dhe raketa. Por, më e rëndësishmja, mbrojtja ajrore e Izraelit, e mbështetur nga ShBA-ja, Britania e Madhe, Franca dhe Jordania, shkatërruan rreth 99 për qind të predhave.

Irani tashti ka sinjalizuar se nuk dëshiron përshkallëzim të mëtejshëm. Dhe, partnerët perëndimorë, të udhëhequr nga ShBA-ja, po e nxisin Izraelin që të mos reagojë dhe të rrezikojë luftën e plotë me Iranin, ndërkohë që po përgatisin një reagim diplomatik. Izraeli duhet t’i dëgjojë këto thirrje.

Në javët e fundit, mes shkatërrimit në rritje në Gazë, Izraeli u bë më i izoluar, madje me presidentin amerikan Joe Biden, mbështetësin e tij më të vendosur, duke marrë kritika të njëpasnjëshme për zhvillimin e luftës së Gazës. Por, mësimi që Izraeli mund të marrë është se kur është nën kërcënim, aleatët mblidhen përreth. Në të vërtetë, siguria e Izraelit varet nga mbështetja perëndimore dhe pranimi i fqinjëve arabë të cilët kanë shqetësime të ngjashme për kërcënimet e paraqitura nga Irani dhe nga ekstremizmi islamik.

Për muaj të tërë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka zemëruar aleatët e vet duke injoruar shumë nga këshillat e tyre, edhe pse ata paralajmëruan për pasojat e rrezikshme të veprimeve të tij. Kjo është koha kur Izraeli duhet të përqafojë mbështetjen dhe këshillat e miqve të vet; për ta bërë një bilanc, për të mos nxituar në një luftë tjetër shumë më të madhe.

Shtetet e Bashkuara dhe shtetet arabe ia kanë ofruar Izraelit një rrugëdalje nga kriza, që do t’ia mundësonte atij të adresonte shqetësimet e sigurisë, të izolonte më tej Iranin dhe të shtypte militantizmin palestinez. Kjo vjen në formën e planeve më të gjera për një zgjidhje të qëndrueshme të luftës në Gazë dhe trazirave rajonale që ajo ka ndezur. Kërkon që Izraeli të pajtohet për një armëpushim në rripin e rrethuar dhe të sigurojë lirimin e pengjeve izraelite. Gjithashtu, parashikon t’ua japë palestinezëve një horizont politik, me hapa konkretë drejt krijimit të shtetit palestinez. Në këmbim, shtetet arabe, përfshirë Arabinë Saudite, do të normalizonin marrëdhëniet me Izraelin. Kjo do të vendoste themelet për një koalicion sigurie, izraelito-arabe – të mbështetur nga ShBA-ja – të atij lloji të cilin Izraeli prej kohësh e ka dëshiruar.

Kabineti i luftës i Izraelit i ka peshuar opsionet. Elementët më ekstremë në qeverinë e ekstremit të djathtë të Netanyahut, zmbrapsen nga sugjerimi se sulmi iranian duhet të mbetet pa përgjigje dhe se lufta në Gazë duhet të përfundojë. Megjithatë, siguria e Izraelit dhe aleancat që i nevojiten, nuk mund të krijohen nëse nuk përfundon lufta në Gazë e cila, ndonëse po degradon rëndë Hamasin, ka shkaktuar gjithashtu viktima masive civile dhe një katastrofë humanitare. Izraeli ka një zgjedhje të vështirë për të bërë. Duhet të dëgjojë aleatët. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale:  Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale: Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Lajme
Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Kronika e Zezë
Wayne Rooney punësohet aty ku askush nuk e priste, pas shkarkimit nga Birminghami

Wayne Rooney punësohet aty ku askush nuk e priste, pas shkarkimit nga Birminghami

Ndërkombëtare
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Rikthimi i Vulinit në qeverinë e Serbisë, analistët në Beograd: Provokim i drejtpërdrejtë ndaj SHBA-së

Rikthimi i Vulinit në qeverinë e Serbisë, analistët në Beograd: Provokim i drejtpërdrejtë ndaj SHBA-së

Serbia
Publikohet dosja, si e rekrutoi inteligjenca ruse Mikhail Zorin të vinte në Shqipëri dhe të mblidhte informacione

Publikohet dosja, si e rekrutoi inteligjenca ruse Mikhail Zorin të vinte në Shqipëri dhe të mblidhte informacione

Lajme
Kalo në kategori