LAJMI I FUNDIT:

Një pacient e bën për spital mjekun në Tetovë

Një pacient e bën për spital mjekun në Tetovë

Sot në Repartin e dermatologjisë në Spitalin Klinik të Tetovës, një pacient ka sulmuar fizikisht mjeku A.E (45) nga Tetova. Mjeku është sulmuar nga ana e pacientit A.B (43) nga fshati Reçicë e Madhe, i cili menjëherë është arrestuar dhe është mbajtur në Stacionin policorë Tetovë, për zbardhjen e plotë të rastit.

Sulmin e ka konfirmuar edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai deklaroi se gjendja shëndetësore e mjekut është stabile.

“Tani na treguan për këtë incident. Për fat të mirë nuk ka lëndime serioze. Tani është një gjendje stabile dhe do ta mbajnë nën kujdes intensiv në klinikën neurokirurgjike”, tha Filipçe.

Në lidhje me këtë rast kanë informuar edhe nga Shoqata e mjekëve shqiptar në vend, anëtar i së cilës është edhe mjeku i sulmuar.

“Pacienti ka kërkuar nga mjeku i sulmuar që të merr deklaratë me nënshkrim se mjeku tjetër, ku është dashur të pranohet në termin, nuk ka qenë në punë. Mjeku tjetër ka qenë në mbledhje tek drejtori. Pacienti i revoltuar se është refuzuar, e ka goditur dhe ka ikur. Në ndërkohë, ka ardhur policia dhe për 15 minuta, pacienti sërish është kthyer dhe në prezencë të policëve ka rrahur mjekun i cili ka marrë lëndime serioze”, tha Nevzat Elezi.

Për shkak të lëndimeve të marra në kokë, mjeku menjëherë pas kësaj, është transferuar në Qendrën klinike në Shkup, ku edhe po mjekohet.