Nicole Scherzinger mahnit me fleksibilitetin, bën spagatën në aeroplanin privat

Nicole Scherzinger tregoi fleksibilitetin e saj të jashtëzakonshëm të shtunën, teksa realizoi spagatën në bordin e një aeroplani privat.
Këngëtarja 48-vjeçare dhe koleget e saj nga Pussycat Dolls, Ashley Roberts dhe Kimberley Wyatt, janë gati të nisin turneun e tyre të ribashkimit në Evropë, pasi në fillim të këtij viti njoftuan rikthimin e grupit.
Teksa me sa duket po udhëtonte drejt Danimarkës për koncertin e parë, Nicole shfrytëzoi rastin për të bërë disa ushtrime shtrirjeje në aeroplan, ndërsa po relaksohej përpara performancës.

Në një video të publikuar në Instagram, këngëtarja u shfaq duke hipur në aeroplan me një kostum të shkëlqyeshëm ngjyrë argjendi, të cilin e kishte veshur nën një palë tuta gri dhe një kardigan.
Pasi punoi për pak kohë në laptop, Nicole u shtri dhe realizoi spagatën mbi një komodinë të gjatë, duke e kryer lëvizjen me lehtësi falë formës së saj të shkëlqyer fizike.

Më pas, Nicole për të qenë më rehat për pjesën tjetër të fluturimit, veshi një palë pizhame me printe leopardi.
Por një spagatë nuk ishte e mjaftueshme për të: ajo mahniti sërish duke realizuar edhe një spagatë në këmbë në shkallët e aeroplanit.
Fleksibiliteti i jashtëzakonshëm i Nicole vjen pasi Kimberley la të kuptohej se turneu i ribashkimit të Pussycat Dolls “mund të jetë i fundit”, pasi grupi anuloi datat e koncerteve në SHBA për shkak të shitjeve të dobëta të biletave.

Grupi i vajzave, i njohur veçanërisht gjatë viteve 2000, njoftoi rikthimin e tij me një këngë të re dhe një turne botëror në fillim të këtij viti.
Pjesa evropiane e turneut nis më 9 shtator në Royal Arena në Danimarkë dhe do të përfundojë më 13 tetor në O2 Arena në Londër, ndërsa shumë prej këtyre koncerteve janë shitur plotësisht.

Megjithatë, në një goditje të rëndë për grupin, në fillim të këtij viti ai u detyrua të anulonte 33 koncerte, të planifikuara nga qershori deri në gusht në SHBA dhe Kanada, pasi shitjet e dobëta të biletave bënë që arenat të mbeteshin rreth 80 për qind bosh.













































