PDK-ja vendos të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit më 9 shtator

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të konstituohet, duke thënë se seanca e thirrur për 9 shtator nuk duhet të shërbejë për zvarritje të mëtejshme të procesit.
Pas mbledhjes së përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, Hamza tha se është shkelur Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas tij, përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.
“Ne kemi insistuar që me u konstitu Kuvendi për shkak se, edhe pse është shkelur afati kushtetues, për me pasur veprime të tjera, Kuvendi duhet të jetë i konstituar”, tha Hamza.
Ai tha se PDK-ja do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit dhe shprehu shqetësimin se thirrja e seancës më 9 shtator mund të mos përfundojë me konstituimin e Kuvendit.
“Presim që kjo mos të jetë një llogaritje i radhës, politik, që ftohet seanca me datën 9, por Kuvendi mos të konstituohet”, deklaroi Hamza.
Sipas tij, PDK-ja nuk ka përgjegjësi për moskonstituimin e deritashëm të Kuvendit.
“Ne nuk e thërrasim seancën. Ne nuk kemi përgjegjësi pse deri tash nuk është konstituar Kuvendi”, tha Hamza.
Hamza foli edhe për datat 12 dhe 16 shtator, duke thënë se PDK-ja do të jetë pjesë e marshit të 12 shtatorit të thirrur nga platforma “Liria Ka Emër”, ndërsa 16 shtatori, sipas tij, është një datë e rëndësishme për Kosovën.
“Prandaj, këto janë qëndrimet tona dhe fokusi i jonë si Partia Demokratike e Kosovës do të jetë me datën 12 dhe do të jetë me datën 16”, tha ai./Telegrafi/



































