Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi së bashku me sekretarin, Arben Çitaku dhe drejtorin e Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Servet Spahiu kanë mbajtur konferencë për media ku kanë shpalosur Udhëzimet Administrative që dalin nga Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

Sipas një njoftimi, me këtë rast, ministri Matoshi tha se Ministria e Mjedisit ka hartuar 5 udhëzime administrative të cilat rregullojnë aspekte të veçanta të procesit të trajtimit të ndërtimeve pa leje në vendin tonë.

“Pra nga sot fillon edhe zbatimi i ligjit për trajtimin e 352 mijë ndërtime pa leje, ku pjesa më e madhe e tyre bënë pjesë në kategoritë 1 dhe 2, e për të cilat përgjegjëse është niveli lokal, kurse për kategorinë 3 përgjegjës për procesin e trajtimit të ndërtimeve pa leje është MMPH-ja”, deklaroi ministri Matoshi.

Ministri Matoshi tha se me fuqizimin e këtyre Udhëzimeve Administrative është kompletuar në tërësi infrastruktura ligjore e për zbatimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

“Pra me zbatimin e këtij Ligj dhe Udhëzimeve Administrative do të kemi një numër dukshëm me te madh të objekteve të legalizuara gjithandej territorit të Kosovës”, citohet të ketë thënë ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, ka treguar gjithashtu se me këto udhëzime do të ketë taksa më të lira, ku për kategorinë e parë do të jetë 1 euro për metër katrorë ndërsa për kategorinë e dytë do të jetë taksa 2 euro për metër katrorë.

Pas hyrjes në fuqi të këtyre udhëzimeve, ministri Matoshi tha se do të ketë takime me kryetarët e komunave dhe drejtorive përkatëse si dhe do të ketë një fushatë informuese për qytetarët e Kosovës për këtë proces.

Ministri Matoshi falënderoi donatorët ndërkombëtarë: USAID, GIZ, UN-HABITAT, OSBE dhe gjithë donatorët tjerë për përkrahjen dhe kontributin e tyre dhënë në fushën e ndërtimit dhe planifikimit hapësinor.

Ndërsa drejtori i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Servet Spahiu ka prezantuar detajet e këtyre Udhëzimeve që sipas tij e plotësojnë infrastrukturën ligjore për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Sipas njoftimit, ai tregoi për gjendjen e ndërtimeve pa leje që janë regjistruar në Regjistrin Nacional ku në total sipas tij janë mbi 350 mijë ndërtime pa leje.

“Si informatë është një skemë që e kemi të ndërtimeve deri me ligjin e vjetër, ku janë 352 mijë 836 ndërtime pa leje në regjistrat që i kemi. Prej tyre janë 8 mijë e 461 qe kanë aplikuar, ku vetëm 2 mijë certifikata të legalizimit janë lëshuar dhe shumica janë në Komunën e Prishtinës”, tregoi Spahiu.

Udhëzimet Administrative që janë nënshkruar nga ministri Matoshi dhe që sot kanë hyrë në fuqi janë: Udhëzimi Administrativ për përmbajtjen dhe kërkesat për Bazën e të Dhënave të Legalizimit të ndërtimeve pa leje; Udhëzimi Administrativ kërkesat themelore për shëndet dhe siguri, procedurat dhe dokumentacionin për trajtimin e ndërtimeve pa leje të kategorisë I dhe II; Udhëzimi Administrativ për kërkesat themelore për shëndet dhe siguri, procedurat dhe dokumentacionin për trajtimin e ndërtimeve pa leje të kategorisë III; Udhëzimi Administrativ për procedurat dhe kërkesat për rrënim të ndërtimeve pa leje dhe Udhëzimi Administrativ për procedurat e ankesave kundër vendimeve për trajtimin e ndërtimeve pa leje. /Telegrafi/